Rrahjet në disa nën-degë të LDK-së, flet Avdullah Hoti
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila këto ditë po mban procesin e brendshëm zgjedhor, është duke u përballur me disa parregullsi dhe përleshje fizike në disa nën-degë.
Deri më tash janë raportuar rrahje, intervenime të policisë dhe arrestime, në disa kuvende zgjedhore të LDK-së, siç janë ato në Mitrovicë, Ferizaj e Prishtinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth këtyre ngjarjeve.

Duke kujtuar Kuvendin e LDK-së të vitit 2016, i cili njihet si Kuvendi i Karrigeve, ai ka deklaruar për RTV 21 se partia e tij e ka tejkaluar këtë fazë.
“Kuvendi i vitit 2006 ende ka mbetur në kujtesën e LDK-së, mirëpo që është tejkaluar”, ka thënë Hoti.
Për përleshjet e fundit në LDK, ai ka thënë se “nuk po ndodh asgjë” dhe ka shtuar se disa aktivistë po shprehin një sjellje që është jotipike për LDK-në.
Realiteti është se rrahjet në LDK nuk po kanë të ndalur dhe se Avdullah Hoti, me deklarimet e tij, po vazhdon të mos e thotë të vërtetën.
LDK ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur se kush janë kandidatët e saj për ta marrë drejtimin e partisë. Ambiciet e tyre i kanë shprehur Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani, por duket se kësaj gare kanë për t’i hyrë sërish edhe Fatmir Sejdiu e Isa Mustafa.
