Rrecaj: E papritur aktakuza pikërisht këto ditë kur Thaçit i duhet të shkojë në Washington

Avokati Tahir Rrecaj është deklaruar lidhur me aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që u paraqiten tek Dhomat e Specializuara të Kosovës për presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Rrecaj tha se është e papritur kjo aktakuzë posaçërisht pasi që ndodhi pikërisht në këtë kohë kur veçse ka veprime të rëndësishme politike kur Thaçit i duhet të shkojë në Washington.
“Sidoqoftë kjo është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Dhomave të Specializuara që po shihet se ka pasur një hetim ndaj Thaçit dhe Veselit dhe ka vlerësuar se provat e grumbulluara janë të mjaftueshme për veprat e pretenduara në aktakuzë. Procedurat janë të tilla që aktakuza i dërgohet gjyqtarit pranë Dhomave të Specializuara në një afat gjashtë mujorësh ku do të vlerësohen dhe shqyrtohen në tërësi nëse provat e grumbulluara nga Prokurori gjatë hetimeve janë të mjaftueshme, të besueshme që aktakuza të konfirmohet dhe nëse aktakuza konfirmohet atëherë vazhdon procedura në të kundërtën nëse provat nuk janë atëherë çështja përfundon”, tha Rrecaj, transmeton Indeksonline.
Tutje avokati Rrecaj tha se nuk janë dhënë sqarime të mëtutjeshme përpos komunikatës së dërguar, por që mbetet të shqyrtohet e të vlerësohet në të ardhmen./Indeksonline/