13:22 / E Enjte, 26 Mars 2020 / indeksADMonline

Rrëfehet për IndeksOnline pacienti që është gati të shërohet nga koronavirusi

Vëlla e motër nga Dumnica e Podujevës, të infektuar me virusin korona rreth dy javë më parë, janë drejtë shërimit.

Pacienti 61-vjeç, (emër i njohur për redaksinë), ka rrëfyer për IndeksOnline gjithë atë që e përjetoi gjatë këtyre dy javëve.

Ai ka thënë se bashkë me motrën 54-vjeçare, gjatë vikendit mund të lirohen nga Klinika Infektive, sepse atij testi i parë i ka dalë negativ ndërsa para se të lirohet do t’i bëhët edhe një test tjetër.

“Gjatë gjithë kohës sa kam qenë në Infektivë nuk mu ka paraqitë ndonjë sëmundje e rëndë. Kisha koll, por tani gjëndja shendetësore e imja dhe e motrës simë me të cilën jam këtu në Klinikën Infektive është e mirë. Po shpresojmë që gjatë vikendit të lirohem pasi testi i parë me doli negativ”, ka thënë 61-vjeçari për IndeksOnline.

Pacienti nga Dumnica e Podujevës, babai i të cilit vdiq të dilën si pasojë e këtij virusi, ka treguar se nga Italia ka ardhur me datën 5 mars dhe dyshon se me këtë virus u infektua gjatë udhëtimit për në Kosovë.

“Unë jetoj në një zonë në Itali ku virusi nuk ka depërtuar shumë. Pra dyshimet e mia janë se me këtë virus jam infektuar rrugës për në Kosovë, dy javë më parë”, ka rrëfyer pacienti i cili po shërohet në QKUK.

Ai bashkë me motrën e tij, që 12 ditë ndodhën në Infektivë, ku po marrin tretmanin e nevojshëm nga mjekët përkatës.

Pacienti u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të vendit që të respektojnë masat të cilat i ka marrë qeveria për parandalimin e këtij vurisi i cili po ua merr jetën shumë personave në mbarë botën.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija mbrëmë ka thënë se për të konstatuar shërimin e një pacienti me COVID-19, nevojiten të bëhen dy testime dhe nëse dalin negative, mund të konstatojmë se pacienti është shëruar.

Ai u ka premtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës që do të njoftohen në kohë reale rreth pandemisë, ashtu sikur kanë bërë deri sot./IndeksOnline/