75 Mall Live Search
20:51 / E Enjte, 25 Mars 2021 / B O

Rrëfehet transportuesi: Si i fus armët e paligjshme që porositen nga vrasësit në Shqipëri

Dokumentari Unpublished në Euronews Albania ka investiguar trafikun e armëve të paligjshme. Përmes rrëfimit ekskluziv të një transportuesi armësh të jashtëligjshme, do iu tregojmë se sa e lehtë është të sjellësh në Shqipëri armët që po përdoren në vrasjet e viteve të fundit.

“Isha 19 vjeç kur iu futa kësaj rruge. Ishte një moshë delikate si çdo i ri që do të bëjë shumë lekë, shpejt dhe lehtë. Mënyra më e lehtë ishte kjo, trafik armësh. Ndiqja shumë edhe filma, por normalisht isha edhe pjesë e një shoqërie që merrej me këtë punë,” – rrëfen personazhi ynë.

Transportuesi na tregon si variojnë çmimet e armëve. Ai i grupon në armë të papërdorura më parë dhe të përdorura. Grupin e parë e cilëson me fjalët “armë e pastër”.

“Kishte njerëz që e donin armën të pastër fare dhe kur e merr të pastër kushton 1000 deri në 2000 euro. Arma gjithmonë shitej dyfishi i çmimit që blihej, për shkak edhe të rrezikshmërisë së rrugës. Nuk mund të të them shifra fikse sepse varet çfarë arme kërkohej”- rrëfen eksportuesi i armëve personazhi ynë.

Ai tregon për Unpublished se pjesa më e madhe kërkonin armë që janë precize. “Shumica kërkonin armë që kanë precizin. Pra që qëllojnë në shënjestër dhe s’të lodhin. Duket që më shumë i donin për ndonjë vrasje, se armët precize për çfarë mund të duhen tjetër”, thotë transportuesi i armëve.

Ekspertët ngrenë alarmin pasi vrasësit me pagesë përdorin të rinj, që të kryejnë vrasjet duke i paguar me më pak lekë. Në këtë mënyrë zinxhiri vazhdon të pasurohet me të rinj të etur pë para.

“Sot për fat të keq vrasësit me pagesë kontaktohen nga të tjerë që të bëjnë vrasje dhe këta kontaktojnë të rinj duke i thënë më pak lekë dhe kështu nxjerrin fitimin e tyre. Ky është kthyer në biznes,” – shprehet ish-drejtuesi i policisë, Emri Vata.

Drejtuesit e kufirit pohojnë se kanë kapur sasi armësh dhe municionesh që tentojnë të hyjnë ilegalisht në vendin tonë. Por sërish ato janë të pakta në numër në krahasim me trafikun që ndodh.

“Gjatw vitit 2020 janw evidentuar 7 raste të sekuestrimit të armëve dhe municioneve. Në tre raste janë evidentuar 4 pistoleta të markave të ndryshme dhe municione (fishekë pistoletash) dhe në tre raste janë evidentuar dhe sekuestruar fishekë pistolete 11 copë fishekë. Në një rast janë konstatuar 1320 copë fishekë 53, në Tropojë në Njësinë Administrative Bytyç e quajtur Stoberd në distancë 200 m nga kufiri me Kosovën. Ky rast nuk ka autorë,” – tregon Drejtori i Departamentit të Kufirit, Eduard Merkaj.

Ekspertët pohojnë se problemi nuk qëndron se nga vijnë armët, por fakti që agjencitë ligj zbatuese nuk po bëjnë asgjë për ti parandaluar.

“Unë mendoj paraprakisht se nuk është problemi për rrugët nga hyjnë, por punë që bën shteti dhe agjencitë ligj zbatuese qoftë për ti parandaluar apo kapur të këtyre armëve, që sot gjenden lirshëm në duart e komunitetit,” – shprehet ish drejtuesi i policisë Emri Vata.

Trafiku i jashtëligjshëm është gjithmonë një hap para policisë dhe vendet nga hyjnë armët në Shqipëri janë përgjithësisht ato kufitare. Personazhi ynë tregon se ai ka përdorur pikën kufitare me Kosovën për të futur armët.

“Ka disa pika kalimi në kufi, unë flas për Kosovën se atje kam operuar vetë. Me atë që më thanë kontaktet, vetëm një pikë ishte që nuk pikasej shumë nga policia në Has. Gjuanim një moment shpërqendrimi të policëve të kufirit dhe ishte një fragment 30 sekonda deri në 1 minutë maksimumi që duhej të ikje me vrap dhe të kaloje përtej kufirit. Pastaj duhej të udhëtoje gati një orë në këmbë për të shkuar në Gjakovë, ku na priste kontakti,” – shprehet personazhi ynë.

Ekspertët pohojnë se ky treg gjen gjithmonë rrugë për të funksionuar, duke përdorur edhe biznese të pastra. Transportuesit mund të kalojnë armët edhe përmes lëvizjes me automjete duke shfrytëzuar dobësitë e sistemit.

“Ndërsa për armët pa leje rrugët janë të shumëllojshme futen nëpërmjet doganave sepse sistemi doganor është i tillë, që një subjekt që është i pastër dhe del në alertin jeshil. Ndaj ai subjekt nuk kontrollohet në doganë. Krimi gjuan këto biznese të pastra për të fshehur paligjshmërinë e tij, mallin e paligjshëm qoftë me dijeni, qoftë pa dijeni. Rrugë tjetër është edhe brezi kufitar jeshil apo qoftë edhe i detit që është më pak i kontrolluar nga Shërbimet e Policisë Kufitare” – thotë Vata.