10:12 / E Martë, 08 Tetor 2019 / indeksADMonline

Rrëfehet vrasësi më i madh serial në histori: I kam vrarë me duar në fyt

Samuel Little ka pranuar për FBI-në se kishte vrarë 93 persona në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe tashmë cilësohet si vrasësi më i madh serik në historinë e këtij shteti.

Little, i cili ndodhet në burg nga viti 2012, ka thënë para hetuesve vitin e kaluar se ai është përgjegjës për rreth 90 vrasje në mbarë vendin nga viti 1970 deri më 2005.

Sipas një njoftimi të FBI-së, analistët federalë të krimeve besojnë se të gjitha rrëfimet e tij janë të besueshme dhe zyrtarët deri tashti i kanë vërtetuar 50 raste që ai i ka përshkruar.

Burri 79 vjeç është dënuar me burgim të përjetshëm të shumëfishtë dhe është duke e vuajtur dënimin, në Kaliforni. Ai thotë se viktimat i kishte mbytur, duke i shtrënguar në fyt dhe gati të gjitha ishin gra.

Në gusht të këtij viti, ai u deklarua fajtor për vrasjen e katër grave në Ohio. Ai u dënua për tri vrasje në vitin 2013 dhe u deklarua fajtor edhe për një vrasje tjetër vitin e kaluar në Teksas.