21:09 / E Hënë, 17 Prill 2023 / C E

Rrëfime emocionale nga masakra e Poklekut dhe Çikatovës: Na hodhën bombë helmuese, pastaj shkrepën automatikët

24 vjet më parë ushtria dhe policia serbe vranë dhe dogjën 53 civilë në Poklek të Drenasit.

Në mesin e 53 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç. Ata u vranë mizorisht e pastaj u dogjën nga forca të regjimit gjenocidal serb, synim i të cilëve ishte shfarosja.

Dëshmitarët e mbijetuar sot përkujtojnë tmerrin e asaj dite dhe kujtojnë me mall më të dashurit e tyre.

Lumnije Muqolli nga Pokleku rrëfej për IndeksOnline momentin e masakrës së 17 prillit.

Ajo tha se atë ditë është plagosur edhe vetë po që ka arritur të shpëtojë së bashku me vajzën e saj dhe djalin e kunatës.

Ma kujton momentin e vështirë se çfarë kamë përjetuar unë në atë shtëpie, le qe i kanë mbytur po edhe i kanë djegur dy herë, e prej asaj masakre kemi shpëtuar 6 persona. Pasi ka ndodhur masakra mu më ka renë të qëndroj një orë apo më shumë, vetëm Zoti ka mujt me ma dhënë një forcë”, ka thënë Muqolli.

Ndërsa, Petrit Morina i mbijetuari nga Çikatova e Vjetër, ka rrëfyer se si forcat serbe i kanë vrarë 6 anëtarë të familjes, ku u shpreh se dhimbja dhe malli për ata është i madh.

Para 24 viteve ushtria e Serbisë na ka nxjerr me dhunë prej shtëpive tona dhe na ka bashkuar më të gjitha banorët e lagjes tonë, janë masakruar dhe vrarë 24 shqiptarë të pafajshëm, ne mesin e tyre kamë qenë edhe unë, kamë qëndruar një kohë derisa janë larguar forcat serbe..”, ka treguar ai për IndeksOnline.