10:12 / E Enjte, 19 Nëntor 2020 / Blerim

Rrëfimi i policit, dëshmitar në rastin e Agon Musliut

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë ka mbajtur sot një mbledhje. Gjatë mbledhjes është folur edhe për rastin e Agon Musliut, të riut nga Gjilani, i cili në rrethana ende të panjohura ka vdekur në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kurtit, u kthye në karantinë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, u paraqit edhe një dëshmitar në rastin në fjalë, një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili pati kontakt me të ndjerin, para se ai të nisej për në karantinë, transmeton IndeksOnline.

Ai rrëfeu nga një lidhje online, pasi që ishte i infektuar me COVID, teksa tregoi ngjarjen e asaj dite, kur Agon Musliu erdhi me një grup të riatdhesuarish në Kosovë.

Arben Haradinaj, ishte i angazhuar në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, ndërsa tha se ai vetëm ia kishte përcjell dokumentin Agonit, të cilën porosi ia dha babai i viktimës, Naim Musliu.

“Ne atë ditë kemi qenë për të përcjellë ata qytetarë që vinin nga Perëndimi aty ku ku jepet nga mjekët, ose në karantinë, ose në shtëpi, por njëkohësisht u kemi ndihmu qytetarëve se kishte edhe të moshuar. Një plakë e kam ndihmuar me valixhe, me t’u kthyer më pyet një person nëse ka mundësi të pyeste diçka. Normal që po, ia kam kthyer. Tha a ka mundësi këtë letër me ia dërgu djalit tim se është ka vjen nga Gjermania, i thash në rregull. Do ta marr letrën do t’ia japë një zyrtari tjetër për me përcjell te djali yt. E kam marrë letrën kam shkuar te zyrtari që ishte përgjegjës për listën që ishte duke e bërë, kush shkon në shtëpi e kush në karantinë.

E kemi shiku emrin, aty ka figuru që djali e ka kry kontrollin mjekësor dhe iu ka dhë me shku në karantinë. Djali ka ardhë me një valixhe, iu kam afruar. E kam përshëndet. I kam thënë këtë letër prindi yt ma dha për me ta dërgu ty, e ka marrë e ka shiku, më tha që nuk më duhet se ma tregoi letrën që ia kishin dhënë me shku në karantinë. I thashë, po letrën me tha ktheja babit, se jam në kontakt me prindin nonstop. Jam kthy prapa, ja kam dhanë letrën prindit të tij, ai më pyeti se ku gjendet karantina, pasi i tregova se djali po shkon atje. Më falënderoi dhe u nis. Kaq ka pas”, ka rrëfyer Haradinaj.

Ai i pyetur për gjendjën dhe sjelljën e Agonit, tha se ai ka qenë tejet i butë dhe i thjeshtë.

“Ka qenë shumë i sjellshëm, i butë dhe shumë i mirë. Jam ofru së pari jam përshëndet me të. Ka qenë shumë i thjeshtë. S’kam parë diçka të keqe apo të dyshimtë. Letrën që ma ka dhënë babai i tij e ka shiku, e dinte për çfarë është fjala”./Indeksonline