Rrëfimi i Sadik Zeqirit, si e mori vesh nga burgu i Lipjanit për çlirimin e Kosovës

Shkruan, Sadik Zeqiri
Në dhomën nr. 13 të burgut të Nishit, më 10 qershor 1999, mora lajmin se lufta në Kosovë kishte përfunduar
Ishte qershori i vitit 1999. Ne ndodheshim në burgun e Lipjanit, në dhomën nr. 1, në katin e parë të njërit nga objektet e burgut. Aty na kishin sjellë më 24 maj, pas masakrës së përgjakshme në Dubravë. Kishim mbetur rreth 800 të burgosur që kishim mbijetuar atë kasaphanë. Në burgun e Lipjanit kishte edhe të burgosur tjerë shqiptar që ishin arrestuar gjatë kohës së bombardimeve, aty kishte edhe gra, sepse zyrtarisht burgu i Lipjanit ishte i dedikuar për të mitur (fëmijë) dhe femra. Ishim të uritur, të rrahur e të keqtrajtuar tej mase nga gardianët dhe zyrtarët serbë të burgut. Rrobat i kishim të mbuluara me pluhur dhe gjak të tharë – mbetje të viktimave të Dubravës. Nuk kishim rroba të tjera, as mundësi për t’u pastruar.
Nga data 3 qershor 1999, nisëm të dëgjonim zëra të ndryshëm – për një marrëveshje në Kumanovë mes NATO-s dhe ushtrisë serbe, për referendum në Serbi, por informacionet ishin të pakta dhe të pasigurta. Ajo që dinim me siguri ishte uria, dhuna dhe pasiguria që jetonim çdo ditë.
Më 10 qershor, rreth orës 3 të mëngjesit, dera e dhomës së burgut u hap. Na ishin rreth 40 të burgosur të ngjeshur në një dhomë 4×5 metra. Gardianët, me një listë në dorë, lexuan emrin tim dhe të Agron Sylës. Na urdhëruan të dilnim jashtë. E përshëndetëm dhomën dhe bashkëvuajtësit me sy – nuk flisnim dot. Në atë moment, të gjithë mendonim se do të na vrisnin.
Na nxorën në oborr dhe na çuan drejt në një pavijoni tjetër. Jashtë dëgjoheshin të shtëna armësh dhe zëra serbisht. Nuk dinim çfarë po ndodhte. Në pavijonin tjetër na i lidhën duart pas shpine me litarë plastikë dhe na futën në një dhomë të errët, të mbushur me të burgosur të tjerë në të njëjtën gjendje. Deri në mëngjes, askush nuk na foli.
Kur zbardhi dita, na rreshtuan dy nga dy, me duar të lidhura, dhe na urdhëruan të vraponim drejt autobusëve. Rrugës, pamë shumë policë, ushtarë dhe automjete ushtarake. Autobusë me tabela nga Nishi e Beogradi qëndronin me dyer të hapura. Na futën me dhunë në to, duke na rrahur me shkopinj.
Agroni, tashmë i ndjerë, më tha me zë të ulët: “Ndoshta po na lëshojnë… ose po na dërgojnë në Shqipëri apo Maqedoni.” Por unë, kur pashë se autobusët ishin të firmave “Niš Ekspres” dhe “Lasta Beograd”, kuptova se po na çonin në Serbi. Dhe kështu ndodhi.
U nisëm nga Lipjani përmes Prishtinës, Podujevës e Merdarës drejt Nishit. Gjatë rrugës na rrihnin pa ndalë. Duart i kishim ende të lidhura pas shpine. Nga dritarja shihnim kolona të tëra ushtarësh, tankesh, kamionësh e traktorësh që iknin drejt Serbisë. Nuk e dinim pse. Nuk kishim asnjë ide se bashkë me ne, po largohej përfundimisht edhe regjimi serb nga Kosova. Lufta kishte përfunduar.
Rreth orës 13:00 arritëm në burgun e Nishit. Aty na pritën me shkopinj dhe na futën komplet neve që ishim në autobus në dhomën nr. 13, në katin e tretë. Ishte një dhomë e madhe, pa asnjë shtrat. U ulëm në tokë. Na i zgjidhën duart, por askush nuk fliste. Më vonë na sollën disa shilte dhe na lanë aty. Kishim uri dhe etje, por nuk guxonim të kërkonim asgjë. Na dërguan në banjë, por sapo afronim dorën nën çesmë, ujin e ndalonin. Pothuajse askush nuk arriti të pinte ujë. Më pas na sollën nga një “çorbë” – një ujë të ngrohtë me pak vaj e ngjyrë të kuqe, veç sa të dukej si ushqim. E pimë ashtu të nxehtë nga uria, duke na djegur gojën.
Në orën 15:00, nga altoparlantët e burgut filluan lajmet në gjuhën serbe. Ishin lajmet që ndryshuan gjithçka. Atëherë mësuam se lufta kishte përfunduar. Serbia kishte pranuar marrëveshjen në Kumanovë. Kosova ishte çliruar.
Edhe pse nuk dinim asgjë për familjet tona – nëse ishin gjallë apo jo, pasi e gjithë Kosova ishte përfshirë nga lufta, zjarri dhe masakrat që vetë i kishim parë në Dubravë – zemrat tona u mbushën me një ndjenjë të re: shpresa. Lufta kishte mbaruar. Serbia kishte kapitulluar përballë NATO-s, Amerikës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.