Rregulla të reja për aeroportet gjermane

Rifillimi i fluturimeve do të thotë ndër të tjera që pasagjerët duhet të planifikojnë më tepër kohë për të shkuar në aeroport.
Pasagjerët duhet të planifikojnë më tepër kohë për të shkuar në aeroport në të ardhmen. Krahas mbajtjes së maskës parashikohen edhe procedura të zgjeruara kontrolli. Detyrim për të mbajtur maskë në pika të caktuara, procese më të përimta dhe për këtë arsye më të ngadalta kontrolli, por një herë për një herë jo kontroll mjekësor – këto janë disa nga rregullat që prezantoi Shoqata e Industrisë së Fluturimeve Ajrore ADV në Berlin. Paketa e masave ka për qëllim ta shmangë thuajese krejtësisht rrezikun e infeksionit nga sëmundja e mushkërive COVID-19, nëse trafiku ajror rifillon nga puna, tha drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate Ralph Beisel.
Aktualisht në aeroportet gjermane nuk ekziston një detyrim i përgjithshëm për të mbajtur maskë në terminalet e aeroporteve. Deri tani një detyrim i tillë ekziston vetëm për aeroportet në landet e Bavarisë, Baden-Vürtembergut, Nordrajn –Vestfalise, Saksonisë së Ulët dhe në atë të Berlinit dhe Bremenit. Në aeroportet e landeve të tjera udhëtarëve vetëm sa u rekomandohet një gjë e tillë. Tani mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme në të gjitha aeroprotet e Gjermanisë.