Rregullat e VAR-it për kartonët e verdhë do të ndryshojnë, pas incidentit në ndeshjen Inter – Juventus
Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit (IFAB) ka vendosur të ndryshojë rregullat për ndërhyrjen e VAR-it në rastet e kartonëve të dytë të verdhë, vetëm dy javë pas përjashtimit kontrovers të Pierre Kalulu gjatë “Derby d’Italia” mes Inter dhe Juventus në Serie A.
Ligjvënësit e futbollit votuan pro ndryshimit ose përshtatjes së disa rregullave në mbledhjen e tyre të përgjithshme vjetore në Uells të shtunën.
Ndër ndryshimet më të rëndësishme është fakti se VAR-i së shpejti do të ketë të drejtë të ndërhyjë në rastet e kartonit të dytë të verdhë, çka do t’i shpëtojë lojtarët që janë përjashtuar gabimisht për një shkelje të dytë të ndëshkueshme me karton.
Ky skenar ndodhi pikërisht gjatë fitores 3-2 të Interit ndaj rivalit Juventus në Serie A në muajin shkurt, kur mbrojtësi bardhezi Kalulu u përjashtua gabimisht me karton të dytë të verdhë për një faull të supozuar ndaj Alessandro Bastoni, i cili kishte simuluar qartë në përpjekje për ta nxjerrë kundërshtarin nga loja.
VAR-i nuk mund të ndërhynte, pasi nuk bëhej fjalë për një karton të kuq direkt, dhe Juventusi – që në atë moment ishte në barazim 1-1 në derbi – përfundoi duke humbur 3-2, pavarësisht se ishte skuadra më e mirë në fushë para përjashtimit të Kalulu.
IFAB, organi që mbikëqyr ligjet e lojës, ka vendosur të ndryshojë rregullat në mënyrë që gjyqtarët të kenë mundësinë të rishikojnë edhe rastet e kartonit të dytë të verdhë, gjë që më parë nuk lejohej.
Pritet që ky rregull të zbatohet gjatë Kupës se Botës 2026.
Sipas “Sky Sports”, IFAB ka zgjeruar gjithashtu kompetencat e VAR-it për të kontrolluar goditjet nga këndi dhe ka marrë masa të reja për të parandaluar humbjen e kohës gjatë ndeshjeve.

