75 Mall Live Search
10:40 / E Enjte, 18 Mars 2021 / OSH

Rregullatori i BE-së vendos për sigurinë e vaksinës AstraZeneca

Rregullatori Shëndetësor i Evropës pritet të marrë sot vendimin mbi sigurinë e vaksinës “AstraZeneca” kundër koronavirusit.

Shtetet kryesore evropiane e kanë pezulluar këtë javë përdorimin e kësaj vaksine, pas raporteve se disa individë të vaksinuar, kanë pësuar mpiksje gjaku.

Por, pavarësisht pezullimit, Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se nuk ka prova që e lidhin vaksinën me incidentet me mpiksje gjaku.

“Derisa hetimet vazhdojnë, ne jemi ende të bindur se përfitimet e vaksinës ‘AstraZeneca’ në parandalimin e koronavirusit, i tejkalojnë rreziqet”, ka thënë shefja e Agjencisë Evropiane të Barnave, Emer Cooke.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve që të mos e ndalojnë vaksinimin me “AstraZeneca”-n.

Kompania “AstraZeneca”, që ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, ka thënë se më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar që nga java e kaluar.

“AstraZeneca”, ka thënë më herët se siguria e ilaçit është studiuar gjerësisht gjatë provave klinike.