08:47 / E Mërkurë, 04 Gusht 2021 / OSH

Rrëmbehet një anije në Gjirin e Omanit, urdhërohet të niset drejt Iranit

Një anije me flamur të Panamasë është rrëmbyer nga persona të armatosur në Gjirin e Omanit dhe është urdhëruar që të lundrojë drejt Iranit, konfirmoi organizata “Lloyd List Maritime Intelligence”.

Anija “MV Asphalt Princess” është duke lundruar drejt Ngushticës së Hormuzit, thuhet në njoftim. Nuk është e qartë se kush e rrëmbeu anijen, por analistët thonë se të dyshuara do të jenë forcat iraniane.

Sidoqoftë, Rojat Revolucionare të Iranit i mohuan këto raportime, duke i cilësuar ato si pretekst për veprime armiqësore kundër Teheranit, shkruan BBC.

Incidenti vjen më pak se një javë pasi një anije për transportimin e karburanteve, e menaxhuar nga një kompani izraelite, u sulmua nga një dron afër brigjeve të Omanit, duke lënë të vdekur dy roja – një britanik dhe një rumun.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Izraeli e fajësuan Iranin për këtë sulm, por Republika Islamike i kundërshtoi fuqishëm akuzat.