Rrëmbimi në Janjevë/ Një muaj paraburgim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.Vllasaliu për shkak të veprës penale Rrëmbimi nga neni 191 paragrafi 3 pika 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas seancës dëgjimore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.Vllasaliu dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, nga data 13.04.2021 e deri më datë 13.05.2021 konform nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafët 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
I pandehuri J.Vllasaliu është ndaluar ngase ekziston dyshimi i bazuar se është i implikuar në rrëmbimin e tani të dëmtuarit B.Rexhepi., ashtu që me datë 08.04.2021, rreth orës 21:00, i dëmtuari Rexhepi. është zhdukur në rrethana deri me tani të panjohura dhe deri me tani nuk dihet vend ndodhja dhe gjendja e tij shëndetësore, kurse me datë 09.04.2021 rreth orës 07:00, është gjetur vetura e të dëmtuarit e braktisur e tipit Xhip Grand Shirok, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, po ashtu viktima nga data 08.04.2021 rreth orës 21:30, nuk ka qasje në telefonin e tij celular.
Kundër këtij aktvendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit.