12:10 / E Martë, 29 Tetor 2019 / indeksADMonline

Rrena disavjeçare që po bëhet me rrugën Kievë-Zahaq, tashti gjithçka në duart e OSHP-së

Ka vite e muaj që qeveritë dhe ministritë gënjejnë për vazhdimin e autostradës Kievë-Zahaq. Janë folur shumë data premtuese për fillimin e punimeve në këtë relacion, por që gjithçka ka mbetur një rrenë publike.

Ministria e Infrakstrukturës kishte mbajtur një konferencë shtypi në shkurt të këtij viti ku kishte thënë se pritet fillimi i punimeve brenda 60- ditësh.

Por, janë bërë më shumë se 8 muaj dhe nuk ka asgjë të re nga ky projekt.

Indeksonline ka kontaktuar ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj i ka fajësuar qeveritë e kaluara, që sipas tij e kanë kënë këtë projekt në sirtare.

“Projekti Kijevë – Zahaq ka ndenjur për një kohë të gjatë në sirtaret e ministrisë meqë qeverisjet e kaluara nuk ishin të gatshme t’i plotësonin kushtet e kërkuara nga financuesi, BERZH. Vullneti dhe puna jonë e madhe ka arritur që të përfundojë këto procedura me sukses. Megjithatë gjithcka do të finalizohet pas kthimit të përgjigjes nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për juridiksionin mbi procedurat e ankesave, kërkesë kjo nga BERZH-i Pas kësaj procedohet me tenderim”, ka thënë Lekaj për Indeksonline.

Por, pavarësisht premtimeve dhe dhënieve të afateve të afërta, kjo rrugë nuk po duket se do të fillojë në një të ardhme të afërt, shkruan Indeksonline.

Banorët e Dukagjinit, sidomos të qyteteve të Pejës, Klinës, Istogut e Deçanit po e vuajnë më së shumti ngecjen e punimeve në vazhdimin e kësaj autostrade.

Kolona të gjata, rruga e bllokuar me kamionë, aksidente të shpeshta, janë problemet e vazhdueshme që qytetarët hasin nga kjo rruga shumë e ngarkuar, por e pashpresë për zgjidhje të shpejtë./Indeksonline/