Rrënohet një pjesë e restorantit “Peshkopia” në Drenas, ky është reagimi i kryetarit Lladrovci
Komuna e Drenasit ka ndërmarrë sot në mëngjes aksionin për lirimin e pronës komunale, duke rrënuar një pjesë të objektit të restorantit “Peshkopia”, që sipas autoriteteve lokale ishte duke u shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme.
Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se veprimi i sotëm është ndërmarrë pas vonesave të gjata dhe pasi Gjykata kishte dhënë verdiktin e saj për lirimin e pronës së uzurpuar.
Në reagimin e tij, Lladrovci u shpreh se zbatimi i ligjit dhe barazia para ligjit janë prioritetet e tij të panegociueshme, duke theksuar se prona komunale është shfrytëzuar për vite të tëra pa të drejtë nga subjekti ekonomik në fjalë.
“Njoftohen mediat lidhur me pyetjet rreth Restoranit ‘Peshkopia’, se prona e uzurpuar nga ky subjekt ekonomik, edhe pse pas shumë vonesave, pasi Gjykata e tha fjalën e saj, është duke u liruar. Ndërsa lidhur me vonesat në realizimin e projektit dhe dëmet financiare që i janë shkaktuar komunës së Drenasit, do të zhvillojmë procedura tjera ligjore,” ka deklaruar Lladrovci.
Ai shtoi se lirimi i pronës ishte një detyrim ligjor dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e interesit publik, duke paralajmëruar se komuna do të ndjekë edhe procedura të tjera për llogaridhënie financiare dhe institucionale.
Aksioni i sotëm është pjesë e përpjekjeve të Komunës së Drenasit për të zbatuar ligjin dhe për të siguruar menaxhimin e duhur të pronës publike.

