Rrëshqitja e gurëve në Rugovë, Komuna e Pejës ia lë fajin MMPHI-së

Komuna e Pejës ka reaguar pas raportimeve se në rrugën që shpie për në Rugovë, ka pasur rrëshqitje të gurëve.
Zëdhënësi i Komunës, Faik Zekaj, ka deklaruar se komuna ka kohë që është e shqetësuar për gjendjen e rrugës, por që mirëmbajtja dhe rregullimi i saj nuk është kompetencë e komunës.
Sipas Zekajt, përgjegjësitë për mirëmbajtjen e rrugës i ka Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, shkruan IndeksOnline.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje dhe mirëmbajtje të duhur, gjendja e rrugës vazhdon të përkeqësohet, duke e vështirësuar lëvizjen dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
Në pamjet e ndara me publikun, shihen qartë pasojat e mungesës së përkujdesjes ndaj kësaj rruge, ku një kamion shihet duke tërhequr zvarrë një shkëmb të madh në mes të rrugës. Kjo situatë tregon qartë mungesën e investimeve dhe përkushtimit për të garantuar sigurinë e qarkullimit rrugor”, shkroi Zekaj.
Ai ka ftuar të gjithë udhëtarët të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në këtë aks rrugor.
Ky është postimi i plotë i tij:
Komuna e Pejës ka kohë që është e shqetësuar për gjendjen e aksit rrugor Pejë – Rugovës, një rrugë me rëndësi të madhe për qytetarët, turistët dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Fatkeqësisht, prej vitesh kjo rrugë është në një gjendje të mjerueshme, duke paraqitur rrezik për qytetarët dhe duke dëmtuar imazhin e destinacionit tonë turistik.
Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se mirëmbajtja dhe rregullimi i kësaj rruge nuk janë në kompetencë të Komunës së Pejës, por janë përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Përkundër kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje dhe mirëmbajtje të duhur, gjendja e rrugës vazhdon të përkeqësohet, duke e vështirësuar lëvizjen dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
Në pamjet e ndara me publikun, shihen qartë pasojat e mungesës së përkujdesjes ndaj kësaj rruge, ku një kamion shihet duke tërhequr zvarrë një shkëmb të madh në mes të rrugës. Kjo situatë tregon qartë mungesën e investimeve dhe përkushtimit për të garantuar sigurinë e qarkullimit rrugor.
Ftojmë të gjithë qytetarët dhe vizitorët që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në këtë segment dhe, njëkohësisht, të bëjmë thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme pa vonesë!