Rrëshqitjet në kanalin Ibër-Lepenc ndalin furnizimin me ujë në Mitrovicë
Furnizimi me ujë të pijshëm në zonën e shërbimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” është ndërprerë për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në ujin e papërpunuar që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit.
Sipas njoftimit zyrtar të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, rrëshqitjet e dheut përgjatë kanalit kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke e bërë atë të papërshtatshëm për trajtim në impiantet e KRU “Mitrovica”.
Nga kjo kompani bëhet e ditur se operimi i impianteve për trajtimin e ujit varet nga gjendja teknike e kanalit dhe parametrat e ujit të papërpunuar, të cilët aktualisht nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme teknike.
Ekipet e Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” janë në terren dhe po punojnë për sanimin e gjendjes. KRU “Mitrovica” Sh.A. ka bërë të ditur se, sapo të stabilizohet situata dhe uji i papërpunuar të përmbushë kriteret për trajtim, do të rifillojë menjëherë procesin e trajtimit dhe shpërndarjen e ujit për konsumatorët.
Kompania u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim deri në normalizimin e plotë të furnizimit me ujë.
KRU “Mitrovica”, njofton qytetarët për shpërndarje të ujit me autoboot.
“Nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë do të realizohet shpërndarja e ujit përmes autobotit, i cili do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë “Elena Gjika””, thuhet në njoftim.

