75 Mall Live Search
19:34 / E Premte, 09 Janar 2026 / KV

Rreth 11 mijë vetura nga Koreja e Jugut janë importuar gjatë vitit 2025, vlera 143 milionë euro

Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë importuar rreth 11 mijë vetura nga Koreja e Jugut, duke shënuar një rritje të ndjeshme të këtij trendi në tregun automobilistik.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga IndeksOnline te Dogana e Kosovës, vlera e përgjithshme e automjeteve të importuara nga ky shtet arrin në rreth 143 milionë euro, ndërsa të hyrat nga taksat doganore për këto vetura kapin shumën prej 49 milionë eurosh.

Interesimi i qytetarëve për blerjen e veturave nga Koreja e Jugut lidhet kryesisht me çmimin më të ulët dhe cilësinë e automjeteve.

Njëri nga qytetarët që ka zgjedhur këtë formë blerjeje është Agron Berisha, i cili shprehet i kënaqur me përvojën e tij.

“Veturën që e kam blerë në Kore e kam marrë diku për 3 mijë euro më lirë sesa në tregun e Kosovës. Deri tani nuk kam pasur asnjë problem me të”, ka deklaruar Berisha.

Sipas operatorëve të këtij sektori, transporti i veturave nga Koreja e Jugut deri në portin e Durrësit zgjat mesatarisht 30 deri në 45 ditë, varësisht nga procedurat dhe linjat detare.

Ky trend ka ndikuar edhe në zhvillimin e bizneseve të reja në Kosovë.

Aktualisht, në vend veprojnë dhjetëra kompani që merren me importimin e veturave nga Koreja e Jugut.

Prishtina kryeson sa i përket numrit të këtyre kompanive, por degë të tyre tashmë janë hapur edhe në komuna të tjera të Kosovës, duke e zgjeruar këtë veprimtari në gjithë vendin.

Veturat që importohen më së shumti janë vetura evropiane, të cilat fillimisht kanë qenë të destinuara për tregun korean, por që tani po gjejnë blerës të shumtë në Kosovë, për shkak të raportit të favorshëm çmim–cilësi./IndeksOnline/