Rreth 15 përqind e grave analfabete në Kosovë
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Paqja Studentore organizoi konferencë në të cilën u prezantuan sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen gratë në vendin tonë.
Deputetja Blerta Deliu – Kodra theksoi se Kosova ende vazhdon të mbetet një ambient i rëndë për gratë, të cilat janë të përfshira në tregun e punës vetëm 12 përqind.
Ajo potencoi se vajzat në Kosovë janë shumë rrallë trashëgimtare të pronës së prindërve të tyre, si dhe dhuna në familje shpërfaq pabarazinë.
“Problem tjetër që unë do ta adresoj sot, është qasja në pronë. Ka qenë njëra prej temave që është adresuar bukur shumë në të gjitha forumet, që është avokuar shumë dhe që Kosova ka një ligj që u garanton grave dhe vajzave që të kenë qasjen e tyre në pronë. Ne kemi 16.1 përqind të pronës e cila është e regjistruar në emër të grave, dhe kjo e drejt është njëra prej drejtave më të ulëta”, theksoi Deliu Kodra.
Ndërsa, deputetja Fatmire Mullhaxha- Kollçaku me këtë rast tha se beteja për barazi fillon në familje dhe aty duhet luftohet pabarazia.
“Mirëpo nuk mjafton të luftohen vetëm në familje këto stereotipe, shteti ka për obligim që t’i krijojë mekanizmat të cilat i luftojnë këto stereotipe. Legjislacioni është mjaft i favorshëm në këtë drejtim, por ne duhet ta shohim sa po zbatohen ligjet që e krijojnë mundësinë për barazi në shoqëri”, tha Mullhaxha – Kollçaku.
Profesoresha Remzije Shahini – Hoxhaj, foli për rolin e gruas në arsimim dhe vështirësitë në tregun konkurrues. Sipas saj, 13 përqind femrave në Kosovë prej moshës 25-45-vjeçare janë analfabete
“Jam shumë e shqetësuar me nivelin e arsimit në Kosovë. Në bazë të disa statistikave 13 përqind e femrave në Kosovë prej moshës 25-45-vjeçare janë analfabete. Unë vij prej një familje ku nëna ime ka qenë analfabete, por unë kam arrit me u bërë doktor shkence. Kështu që unë ju inkurajoj prej çfarë do pozicioni si social-ekonomik apo regjioni që me promovua kauzën e edukimit të vajzave”, deklaroi Shahini Hoxhaj.
Ndërsa, Donjeta Murselaj nga Paqja Studentore tha se kjo organizatë çdo herë ka mbajtur aktivitete dhe ka trajtuar tema për gra dhe iu është dhënë përparësi për të drejtat e tyre.
“Organizata Paqja Studentore iu ka dhënë gjithmonë hapësirë vajzave dhe grave me organizmin e konferencave të ndryshme, të cilat kanë trajtuar gjendjen dhe sfidat e grave në Kosovë”, tha Murselaj.
Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Gruas është shënuar me aktivitete të ndryshme nga institucione të Kosovës.