Rreth 37 mijë armë me leje në Kosovë, 20 mijë të tjera me leje të UNMIK-ut

Rreth 37 mijë armë janë të legalizuara në Kosovë, ndërkaq 20 mijë të tjera janë me leje të UNMIK-ut. Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti ka deklaruar se janë të kënaqur me zbatimin e Ligjit për Armët, ani pse ka konfirmuar se ka numër të madh të tyre që janë pa leje. Ai gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes tha se gjatë vitit, Policia e Kosovës arrin të konfiskojë rreth një mijë armë.
Gjatë raportimit të tij, kryetari i komisionit, Bekë Berisha ka pyetur për zbatimin e Ligjit për Armët. Ai ka përmendur edhe skandalin e shitjes të lejeve të armëve në emër të MPB-së në vitin 2019.
“Sa po mundeni ta zbatoni ligjin, ka pengesa, ka skandale, këtu i kam disa. A mundesh pak të na shpjegosh a është i zbatueshëm ky ligj, si janë lejet e armëve. 41 faqe, si ja bëni ju me këtë? A ka pasur ndonjëherë ndonjë iniciativë që të bëhet pak më praktik? Si janë këto lejet e armëve, e ki edhe nuk e ki? Tani janë disa leje të armëve, mirëpo këtu e kam një skandal ku thuhet për shitjet e lejeve të armëve në vitin 2019, të na thuash diçka se ti je ke qenë në punë në atë kohë”, ka pyetur Berisha.
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti tha se është i kënaqur me zbatimin e Ligjit për Armët.
“Për Ligjin për Armët aktualisht kemi përfunduar koncept-dokumentin dhe tani janë caktuar grupet punuese edhe orari për të punuar për draftimin apo amandamentimin e ligjit të ri për armët. Përmbajtja voluminoze e ligjit ndoshta mund të shihet si e madhe, por kjo nuk është pengesë për zbatimin e këtij ligji. Normalisht ligji ka edhe plot rregullore edhe udhëzime administrative. Duke qenë se jemi organi kompetent që menaxhon duke filluar prej tregtisë, pastaj licencimit të kompanive që ka të bëjë me armët dhe municionet në Kosovë, ne mendojmë që gjatë punës me ligjin e ri do të obligohemi të shtojmë edhe pjesë tjera. Ligji aktualisht është i zbatueshëm. Ne jemi të kënaqur me zbatimin e Ligjit për Armët’, ka njoftuar ai.
Ndërkaq, sa i përket skandalit të shitjes së lejeve të armëve, drejtori i Departamentit për Siguri Publike deklaroi se Ministria e Punëve të Brendshme nuk është pjesë e saj.
“Ne nuk konsiderojmë që Ministria e Punëve të Brendshme, në veçanti Departamenti për Siguri Publike ka të bëjë me këtë pjesë. Ministria apo departamenti ka qenë institucioni që e ka paraqitur këtë dukuri pranë mekanizmave të shtetit. Aktualisht për atë vepër penale kemi pasur persona të dënuar dhe ka një proces gjyqësor, i cili ka përfunduar. Duke e vërtetuar që ka pasur një keqpërdorim prej disa njerëzve të cilët janë jashtë institucioneve, të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë proces”, ka deklaruar ai.
Më tej, anëtari i LVV-së, Mefail Bajqinovci ka pyetur se sa është numri i armëve që qytetarët i kanë me leje të UNMIK-ut.
“A është lëshuar ndonjë leje nga procesi i legalizimit që e keni pasur më herët? A ka pasur proces të dorëzimit të armëve, sa ka qenë ai? Flasim rreth data bazës së armëve, sa është numri i personave që sot posedojnë armë me leje të UNMIK-ut, me leje të Republikës së Kosovës që ende nuk i kanë përkthyer tek ju? A keni ju si MPB komunikim automatik tek data bazat së armëve me data bazat verifikuese të policisë, prokurorisë, shtetit, gjykatave, tek të gjithë mekanizmat?”, ka pyetur ai.
Hoti derisa ka folur për numrin e armëve me leje të UNMIK-ut tha se me rëndësi është që të njëjtat të mos përdoren në tregun e zi.
“Aktualisht janë rreth 20 mijë armë të tilla ( UNMIK-ut), të cilat nuk janë armë ilegale, janë armë të regjistruara. Por të cilat, posedues të tyre nuk u janë nënshtruar kërkesave të ligjit të ri. Edhe pse ligji i ri u ka dhënë një afat kohor kur munden që t’i përfundojnë trajnimet dhe t’i përshtaten kërkesave ligjore. Është goxha e kushtueshme që një qytetar i joni që e ka pasur një armë me leje të UNMIK-ut që të kryejë trajnimet dhe të nxjerr një mori dokumentash…Me rëndësi për ne si organ kompetent është që armët e tilla janë të regjistruara dhe që të mos përdoren në aktivitete kriminale dhe të mos dalin në tregun e zi. Aktualisht janë rreth numrit 37 mijë të armëve që qytetarët e kanë me leje”, ka deklaruar Hoti para anëtarëve të komisionit.
Po ashtu, ai është pyetur edhe për tregun e zi të armëve dhe konfiskimin e tyre.
“Për tregun e zi të armëve, aktualisht çdo vit Policia e Kosovës konfiskon një mijë armë në të gjithë territorin e Kosovës. Në vit, nuk e kalon numrin një mijë, mund të jetë mesatarja e kësaj”, është përgjigjur ai.
Ndërkaq, anëtari tjetër i LVV-së, Enver Dugolli tha se gjetjet janë shqetësuese për mos zbatimin e Ligjit për Infrastrukturën Kritike.
“Ditë më parë ne e kemi miratuar një raport, një rekomandim për kryesinë e kuvendit, është fjala për Ligjin për Infrastrukturë Kritike. Të gjeturat e grupit punues për zbatueshmërinë e ligjit janë shqetësuese. Për shkak se nga të dhënat që i kemi ne dhe që e kemi bërë edhe raportin, del që ky ligj nuk ka filluar të zbatohet fare. Edhe në kuadër të kësaj e kam një pyetje, a e keni ngrit këtë çështje ndonjëherë në ministri? Sepse ajo që e kemi gjetur ne është shqetësuese. Sepse ligji është miratuar por nuk është zbatuar asnjëherë”, ka deklaruar Dugolli.
Në lidhje me këtë, Hoti ka thënë se ligji është miratuar por nuk ka arritur të zbatohet për shkak se në bazë të marrëveshjes me Komisionin Evropian, ata do të asistohen në procedurat e nxjerrjes së akteve për zbatimin e këtij ligji. Por, për shkak të situatës me pandeminë, ai tregoi, se nuk kanë pasur asnjë vizitë.
Ai ka njoftuar se nuk kanë arritur as të rekrutojnë stafin, ku parashihet të jenë katër zyrtarë, për çka tha se janë optimist që gjatë javës do të fillohet rekrutimin e tyre për Divizionin për Infrastrukturë Kritike.