“Rreth 7 orë të ngujuar në minierë”, Kryetari i Sindikatës së “Trepçës”: Minatorët kanë dalë nga miniera
Dhjetëra minatorë të ndërrimit të dytë në minierën e “Trepçës” kanë mbetur të ngujuar për disa orë qindra metra nën tokë për shkak të një defekti në furnizimin me energji elektrike, ndërsa sindikata konfirmon se situata tashmë është normalizuar dhe puna ka rifilluar.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, ka deklaruar se minatorët kanë arritur të dilnin.
“Po e konfirmoj që minatorët kanë mbetur të ngujuar, por kanë dalë. Ka qenë për shkak të një defekti me rrymën, më shumë detaje nuk kam. Nja gjashtë apo shtatë orë kanë mbetur, tashmë po fillon puna normale, është rikthyer në normalitet”, tha ai në një përgjigje për EO-n.
Gjatë ditës ishte raportuar se dhjetëra minatorë nuk kishin arritur të dilnin nga miniera pas përfundimit të ndërrimit të dytë, për shkak të një problemi në furnizimin me energji elektrike. Sipas raportimeve ata kishin mbetur të bllokuar në horizontet 10, 9 dhe 8, qindra metra nën tokë.
Po sipas këtyre raportimeve, minatorët ishte dashur të dilnin nga miniera disa orë më herët, por ndërprerja e rrymës kishte pamundësuar funksionimin normal të ashensorëve dhe daljeve të sigurisë.
Kjo nuk është hera e parë që raportohet për një situatë të tillë, pasi vetëm disa ditë më parë, për shkak të një defekti të ngjashëm me energjinë elektrike, disa minatorë kishin mbetur, po ashtu të bllokuar qindra metra nën tokë.

