75 Mall Live Search
18:22 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / Z S

Rreth 90 minuta para prokurorëve të posaçëm, Lulzim Basha del nga SPAK

Lulzim Basha ka lënë ambientet e SPAK, rreth 90 minuta pasi hyri në Prokurorinë e Posaçme. Ish-kreu i Partisë Demokratike tha për gazetarët se ishte thirrur këtë të enjte në SPAK si një person në dijeni për një nga çështjet nën hetim.

Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim”, tha Basha.

I pyetur nëse bëhet fjalë për dosjen e “21 Janarit”, ish-kryedemokrati u përgjigj: “Informacionin se për cilën çështje jam thirrur ju lus ta merrni drejtpëdrejt tek institucioni sepse ligjërisht dua të respektoj sekretin hetimor. Këto ishin gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje.”

Basha po ashtu paralajmëroi se mund të ketë një konferencë për mediat, por jo në të ardhmen e afërt. “Për të tjerat e di që ju ka marrë malli për konferencë për shtyp, por do të prisni edhe pak.”

Sakaq, A2 CNN mëson se Basha ka shkuar në SPAK për llogari të hetimit të dosjes së ’21 Janarit’. Dyshohet se Basha është thirrur ne urdhër të prokurorit Alfred Shehu, i cili ka në dorë dosjen në fjalë.

Kujtojmë se në 21 janar të vitit 2011 mbetën të vrarë 4 protestues në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, gjatë protestës që organizonte opozita socialiste e asaj kohe. Lulzim Basha atherë ishte Ministër i Brendshëm.

Protesta u thirr pas daljes së një videoje të zv.kryeministrit të asaj kohe, Ilir Metës, ku ai shfaqej duke bërë korrupsion.

Mazhoranca e kohës pretendoi se video ishte e montuar dhe nuk i ka pranuar akuzat e opozitës për korrupsion qeveritar.