22:04 / E Diele, 16 Shkurt 2020

Rreziku nga bombolat e gazit, inspektorët: Mos i mbushni në karburante

Përdorimi i bombolave të gazit për gatim, ngrohje dhe një sërë funksionesh të tjera është kthyer në një problem serioz për jetën e qytetarëve.

Nisur nga rastet e fundit të shpërthimit apo rrjedhjes së gazit, ekspertët shprehen se duhen kontrolle periodike të bombolave për të parandaluar ngjarje të tilla.

Inspektori Riza Dokaj shprehet për Ora News se nëse zbatohen rregullat e përdorimit dhe instalimit të bombolave të gazit nuk na asnjë rrezik për ngjarje të rënda.

Riza Dokaj: Janë tre faktorë që përcaktojnë mundësinë e një aksidenti nga gazi. E para është bombola, e dyta instalimi dhe e treta përdorimi. Mbi 90% të rasteve vinë nga përdorimi dhe instalimi.

Inspektori thotë se bombolat e gazit duhet të mbushen në njësi të certifikuara dhe jo në karburante ndërsa më pas duhet të vendosen në ambiente të mbyllura.

Riza Dokaj: Në stacionet e karburanteve nuk duhet të mbushen bombola por duhet të lihet bombola boshe dhe të merret bombola plot, bombola e cila është e mbushur në qendrat e mbushjes së gazit të lëngëzuar.

Sipas Dokajt nga ana e Inspektoriatit Shtetëror Teknik Industrial kryhen vazhdimisht kontrolle periodike, ku vetëm gjatë vitit të shkuar ka pasur 50 ndëshkime të subjekteve.

Riza Dokaj: Gjatë vitit të shkuar janë ndëshkuar mbi 50-51 subjekte, qëllimi është sensibilizimi dhe parandalimi i aksidenteve.

Gjithashtu ekspertët paralajmërojnë qytetarët që për të parandaluar ngjarje të rënda, bombolat duhet të mbushen në masën 80%.

Sipas ISHTI, në 90% të rasteve ka rrjedhje të gazit dhe jo shpërthim të bombolave.

Mos i humb