75 Mall Live Search
18:45 / E Enjte, 11 Shtator 2025 / H F

Rreziku shëndetësor nga uji i Badocit, kur pritet të rikthehet cilësia në nivel të sigurt?

Më datën 1 të këtij muaji Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (IKSHKP) ka apeluar tek qytetarët që të mos e përdorin për pije ujin nga Liqeni i Badocit, meqë ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga ky liqen.

Analizat laboratorike të realizuara në ditët e fundit rezultojnë me vlera të manganit të cilat tejkalojnë kufirin e lejuar të përqendrimit të manganit prej 0.05 mg/l sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 për” Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu”, dhe gjithashtu tejkalojnë standardin shëndetësor prej 0.3-0.4 mg/l mbi të cilin konsiderohet se mund të ketë ndikim në shëndet.

IndeksOnline ka kontaktuar zyrtarë të IKSHPK-së, për të mësuar më shumë rreth kësaj situatë, dhe njëkohësisht se kur pritet të rikthehet cilësia e ujit në nivel të sigurt për konsum.

“Aktualisht nuk mund të përcaktohet një afat i saktë, pasi procesi i ndryshimit të përqendrimit të manganit ndikohet nga faktorë natyrorë. Prandaj, cilësia e ujit është duke u monitoruar vazhdimisht dhe rezultatet do të bëhen publike për qytetarët.”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për IndeksOnline.

Ndryshe, rritje të vlerave të manganit në këtë liqen ka pasur edhe në dy vitet e fundit./IndeksOnline/