75 Mall Live Search
08:46 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / MSH

Rrëzimi i avionit të mallrave, Kentaki shpall gjendje të jashtëzakonshme

Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë shtet amerikan, pasi një avion mallrash i UPS-it u rrëzua pak pasi u nis nga aeroporti në Luisvill, duke vrarë të paktën nëntë persona.

Pak pas nisjes nga aeroporti, avioni u përfshi nga flakët dhe më pas u rrëzua, duke shkatërruar dy biznese që gjendeshin afër aeroportit dhe duke shkaktuar vonesa në operacionet e kësaj kompanie të transportimit të mallrave.

Beshear u tha gazetarëve se pret që numri i viktimave të rritet, pas aksidentit që ndodhi të martën. Avioni u rrëzua pranë një zone industriale, duke goditur një kompani të naftës.

Beshear tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të ndihmojë në përgjigjen e shtetit për aksidentin, duke lejuar që në vendngjarje të dërgohen “më shpejt burime”.

Avioni i mallrave i llojit MD-11, i prodhuar para 34 vjetësh u përfshi nga flakët dhe hetuesit nga Bordi kombëtar amerikan për sigurinë e transportit pritet që të japin detaje pse ndodhi ky aksident.

Fluturakja, sipas kompanisë UPS, kishte tre anëtarë të ekuipazhit dhe sipas zyrtarëve amerikanë asnjëri nga ta nuk i mbijetoi aksidentit.

Rreth 200 zjarrfikës dhe personel të emergjencës, si dhe 50 kamionë, u thirrën të martën për të luftuar flakët e shkaktuara nga rrëzimi i avionit. Megjithatë, guvernatori Beshear tha se një qendër e konventave që ndodhet afër, një restorant dhe një fabrikë e “Ford Motor Co” nuk janë prekur nga zjarri.