75 Mall Live Search
08:38 / E Premte, 27 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Rrëzohet një avion, 14 të vdekur, 60 të plagosur

Të paktën 14 persona kanë vdekur pasi një avion me 98 persona në bord u rrëzua në Kazakistan.

Sipas autoriteteve, avioni i kompanisë “Bek air” u ul menjëherë pasi nisjes nga aeroporti në Almaty, duke u përplasur me një ndërtesë.

Të paktën 60 persona raportohen të plagosur, përfshirë fëmijë, të cilët u dërguan në spitalet më të afërta.

Fluturimi Z92100 ishte nisur nga qyteti më i madh i Kazakistanit, Almaty, për në kryeqytetin e këtij vendi Nur-Sultan që deri në fillim të këtij viti kishte emrin Astana.

Një reporter i Reutersit që ishte afër vendit të ngjarjes tha se në zonën e përplasjes ka pasur mjegull, por nuk dihet ende shkaku që çoi në aksidentin e tmerrshëm.

Autoritetet njoftuan se në avion ishin 93 pasagjerë dhe pesë anëtarë ekuipazhi.

Sipas listës së publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kazakistanit, në bordin e avionëve “Fokker 100” ishin 85 të rritur, pesë fëmijë dhe tri foshnja.