12:42 / E Enjte, 16 Korrik 2020 / indeksADMonline

Rrëzohet një helikopter zbulimi në lindje të Turqisë, 7 të vdekur

 Shtatë pjesëtarë të sigurimit turk u vranë kur një helikopter zbulimi u rrëzua në provincën lindore Van, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, duke cituar ministrin e Brendshëm turk.

Suleyman Soylu tha se helikopteri u rrëzua në një mal në një lartësi prej 670 metrash. Midis viktimave ishin dhe dy pilotët.

Hetuesit e aksidenteve po punojnë për të përcaktuar shkakun e përplasjes.

Transmetuesi NTV citoi Soylun të thoshte se kontakti i fundit nga helikopteri ishte marrë në orën 22.32 të mbrëmjes së të mërkurës, 15 korrik.

Ai u zhduk nga radari 13 minuta më vonë.

Forcat turke të sigurisë kanë luftuar militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Turqinë Juglindore në një konflikt i cili ka vrarë më shumë se 40.000 persona.

PKK-ja mori armët kundër shtetit turk, më 1984, duke bërë një kryengritje për autonomi në juglindje kryesisht kurde.