12:41 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Rriten ankesat e konsumatorëve

Numri i qytetarëve që ankohen në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë këtë vit ka shënuar rritje prej 70%.

Për dallim nga viti i kaluar ku gjithsej kanë qenë 215 ankesa, për 5 muaj në këtë departament janë 142 ankesa. Kështu është shprehur Plator Gerdovci, zyrtar i lartë për mbrojtjen e konsumatorit në MTI.

Ai për Indeksonline ka thënë se në krahasim me periudhën e njëjtë kohore 2017/2018 është shënuar rritje prej 70%. Tutje ai ka treguar edhe llojet e këtyre ankesave.

“Nga 142 ankesat e këtij viti me së shumti kemi për garancionet e produkteve elektronike gjithsej (28) ankesa, mospërputhje çmimit arkë dhe raft gjithsej 22 ankesa. Ankesa kemi edhe për produktet ushqimore 15 ankesa si dhe për shërbime të telekomunikimit janë 19, ndërsa drejtuar BQK-së janë 8 ankesa. Dhe ankesa të ndryshme drejtuar autoriteteve përkatëse”, thuhet në përgjigjën e Gerdovcit.

Ai u ka bërë thirrje që të raportohet çdo parregullsi që hasin qytetarët lidhur me produktet.

“Ne i bëjmë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë mundësinë që për çdo parregullsi që hasin t’i drejtohen departamentit për mbrojtjen e konsumatorit në numrin pa pagesë 080011000”, ka përfunduar ai.

Rritjen e ankesave, Kryetari i organizatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku e sheh si të pamundur.

Sipas tij “nëse kemi parasysh mija fusha, degë e sektorë socio-ekonomikë-tregtar- administrativo-publik-shëndetësor-IT-Telefoni-shëndetësi-energji elektrike-ngrohje qendrore-ujë, atëherë krahasimi del i pamundur, është absurd”.

“Nëse kemi parasysh faktin se gjatë muajit bëhen me MLRD-a transaksione, veprime të shitblerjes e të paktën minimumi i ankesave të mundshme e të pritura mund të jetë 1 %, që në vetëm 1 MLRD veprime të qytetarit konsumator përbën shumën prej 10 MLN ankesash – atëherë analogjitë ekzistuese me statistikat e infrastrukturave të cilësisë e të mekanizmave / agjensioneve / rregullatorëve, inspektorateve…nuk kanë logjikë ?!”, ka shtuar Kaçaniku për Indeksonline.

Ai në një përgjigje ka theksuar se edhe pse ka rritje të ankesave, nuk mund të jemi të sigurt se a ka vetëtdijësim të qytetarit konsumator.

“Kjo për arsye se, siç e thashë, akoma Institucionet, asociacionet e mekanizmat/agjensionet/inspeksionet/rregullatorët e Republikës së Kosovës nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor, administrativ, mandator edhe etiko-human e civilizues që qytetarin konsumator taksapagues – gjenerues kryesor të Buxhetit prej nga financohen Qeveria dhe ministritë dhe të cilin e menaxhojnë, ta informojnë, arsimojnë, edukojnë e vetëdijësojnë për kauzën, për të drejtat e obligimet dhe për interesat e dinjitetin e qytetarit konsumator taksapagues-edhe për ta realizuar të drejtën e ankesës. Ky vetëdijesim do ta bënte qytetarin konsumator edhe partner të Shtetit”, ka shtuar ai.

Mirëpo, ngritja sado pak vetëdijes së konsumatorit po vlerësohet se është bërë nga OJQ-të dhe mediumet, më shumë se institucionet e mekanizmat e shtetit.

“Ato, jo rrallë ndikohen e diktohen nga lobitë e fuqishëm politiko-biznesor-insitucional. S’do mend se Org. Konsumatori arsyeton e mbështet arsyeshmërinë e themelimit dhe të ekzistimit të infrastrukturave të cilësisë që ndodhen në kuadrin e MTI-së. Aktivizim dhe vigjilenca e kësaj OJQ-je i ” bënë presion pozitiv ” dhe i mobilizon e motivon të gjithë në drejtim të arritjes e ngritjes së mbrojtjes dhe të drejtave të qytetarit konsumator taksapagues; – Nuk duhet harruar, se po këto institucione, asociacione e mekanizma as pas 19 vitesh pavarësie, akoma nuk e kanë prioretizuar kauzën, të drejtat e obligimet dhe interesat e dinjitetin e qytetarit konsumator taksapagues – para institucioneve, organizmave e miqve ndërkombëtarë duke e ngufatur kështu, dëmtuar e skllavëruar me qëllim konsumatorin”, ka përfunduar ai.

Duhet përmendur se numri i qytetarëve që ankohen qoftë për cilësinë apo çmimet e produkteve është i lartë. Jo rrallë herë ata mashtrohen nga çmimet, apo edhe hasin në produkte me afat të skaduar nëpër dyqanet në Kosovë./Indeksonline/