12:25 / E Shtunë, 16 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Rriten asetet e sektorit të sigurimeve në Kosovë

Vlera e gjithsej aseteve të sektorit të sigurimeve në shtator të këtij viti, arriti në 173.1 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 4.3 përqind.

Kështu thyhet në raportin e BQK-së për tremujorin e tretë, ku thuhet se sektori i sigurimeve në shtator 2017 kishte një pjesëmarrje prej 3.0 përqind në gjithsej asetet.

Sipas BSK-së, kontributin kryesor në rritjen e aseteve të sektorit e kishte paraja e gatshme e mbajtur në bankat komerciale në vend, kategori e cila përfaqëson më shumë se gjysmën e gjithsej aseteve të industrisë së sigurimeve.

“Sigurimet jo-jetë, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të sektorit me 89.1 përqind të gjithsej aseteve, shënuan rritje vjetore prej 2.8 përqind në shtator 2017. Ndërsa, pjesa e mbetur e sektorit e përfaqësuar nga sigurimet ‘jetë’, shënuan rritje më të theksuar vjetore prej 18.0 përqind. Deri në shtator 2017, vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve arritën vlerën prej 65.9 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 2.1 përqind. Primet e sigurimit jo-jetë përfaqësojnë 97.1 përqind të gjithsej strukturës së primeve të shkruara. Vlera e realizuar e primeve të shkruara nga sigurimi jo-jetë arriti në 64.0 milionë euro deri në shtator 2017 (2.3 përqind rritje), kurse vlera e primeve të shkruara nga sigurimi jetë u karakterizua me rënie vjetore prej 1.6 përqind duke zbritur në 1.9 milionë euro”, thuhet në raport.

BQK-ja thotë se dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve, ku përfshihen dëmet e kompanive të sigurimit dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), arritën në 32.4 milionë euro deri në shtator 2017 (27.7 milionë euro deri në shtator 2016), që paraqet një rritje të theksuar vjetore prej 17.2 përqind (rënie prej 0.4 përqind deri në shtator 2016).

“Rritja e lartë e dëmeve të shkaktuara gjatë kësaj periudhe, në prani të rritjes së ulët të primeve të arkëtuara, ka ndikuar në rritjen e raportit të gjithsej dëmeve të paguara ndaj primeve të shkruara. Në shtator 2017, ky raport u rrit për 6.3 pikë përqindje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në 49.2 përqind. Kjo nënkupton që pothuajse gjysma e të ardhurave nga primet e shkruara i dedikohen pagesës së dëmeve të ndodhura”, thuhet në raportin e BQK-së.