75 Mall Live Search
09:26 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / P M

Rriten kërkesat për azil, bie numri për heqje dorë nga shtetësia

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka publikuar të dhënat për periudhën korrik–shtator 2025, të cilat tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare dhe lëvizje të migrantëve.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë pranuar 76 aplikacione për mbrojtje ndërkombëtare në Qendrën e Azilit. Nga to, 55 aplikues janë meshkuj dhe 21 femra. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur ishin vetëm 41 aplikime, vihet re një rritje prej 81%.

Sa i përket shtetësisë, shtetasit e Palestinës kryesojnë me 29% të kërkesave, të pasuar nga Egjipti me 25%, Jordania me 17%, ndërsa pjesa tjetër u takon shteteve të tjera me përqindje më të ulët.

Në të njëjtën periudhë, është regjistruar edhe një ulje e kërkesave për heqje dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Janë parashtruar 128 kërkesa për lirim nga shtetësia dhe janë marrë gjithsej 217 vendime, prej tyre 213 pozitive dhe 4 negative. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (268 vendime), shënohet një rënie prej 19%.

Në mesin e shteteve që kanë garantuar shtetësinë për qytetarët e Kosovës prinë: Austria me 56%, Sllovenia me 29%, Gjermania me 4.7%, Kroacia me 3.2%, ndërsa shtetet e tjera përbëjnë 7%.

Nga aplikuesit, 51% janë meshkuj, ndërsa 49% femra. Në Qendrën e Pritjes së Përkohshme për Migrantë (QPPM), gjatë periudhës korrik–shtator 2025 janë pritur dhe akomoduar 247 emigrantë, që paraqet një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2024 (238 emigrantë).

Sipas të dhënave, numri më i madh i emigrantëve që kanë qëndruar në këtë qendër vjen nga Maroku, Egjipti, Siria, Palestina dhe Algjeria. Ky raport reflekton trendet në rritje të emigrimit dhe kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, si edhe interesin e qytetarëve të Kosovës për të përfituar shtetësi në vendet e Bashkimit Evropian.