22:43 / E Hënë, 17 Qershor 2024 / Gj. Sh

Rriten rastet e dhunës në familje

Në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje. Një rast në Lipjan, një në Obiliq dhe tri raste në Fushë Kosovë.

Sipas Raportit të Policisë, në të gjitha këto raste,  gratë kanë raportuar në polici për dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët për motive të ulëta.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në komunën e Fushë Kosovës thotë se vetëm në 5 mujorin parë të këtij viti, në këtë komunë janë trajtuar mbi 60 raste përderisa viti 2023 është përmbyll me mbi 100 raste të viktimave të dhunës në familje.

“Kemi të bëjmë më një numër të madh të rritjes. Nga Janari deri më tash janë trajtuar mëse 60 raste të viktimave të dhunës në familje. Në fillim ka udhëheq dhuna fizike, tani paralel saj është dhuna psikologjike për atë çka palët vendosin  ta referojnë në mënyrë që ta marrin mbrojtjen e vete ndaj abuzuesit, përkatësisht çiftit të cilët bashkëjetojnë apo jetojnë në martesë”, tha për RTK, Abaz Xhigolli, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë.

Ai thotë se problem në vete është numri tejet i vogël i punëtorëve social për ofrimin e shërbimeve ndaj këtyre  rasteve.

“Realisht është një numër minimal për shkak të procedurave rekrutuese. Mirëpo, ne kemi qenë viktimë e regjistrimeve të mëparshme me 33 mijë banorë e nuk ka mund Komuna asnjëherë me përmbush numrin e nevojshëm të punëtorëve social. Ishte dashtë të jetë numri mbi 6 ofrues të shërbimeve sociale, ku aktualisht i kemi vetëm 2”, tha ai.

Sociologia Dhurata Prokshi, konsideron se ka filluar të rritet vetëdija e viktimave për raportimin e dhunës në institucionet e sigurisë, por  që sipas saj, ky fakt nuk do të duhej të mjaftonte.

“Obligimi ynë jo vetëm si shoqëri, por para së gjithash si institucione duke nisur nga policia, prokurorisë dhe i gjykatave, do të duhej të ishte që të përdornim të gjitha instrumentet ligjore që t’i disiplinonim dhe t’i ofronim një komunikim, ose një pajtim të shëndosh mes palëve apo një shkëputje apo një ndarje qoftë rastet kur janë rastet në martesë, mirëpo pa dëme pa fatalitete. Për shkak se nëse kemi dënime të cilat shqiptohen por edhe respektohen e dërgon deri në fund, atëherë konsideroj që do të ndalej hovi dhe do të ndalej liria që gruaja në cilin do rol qoftë brenda familjes që konsiderohet si pronë apo si një subjekt që është më i ndejshëm dhe është më i pafuqishëm që t’i kundërvihet, forcës së dhunës si një lloj kundërpërgjigje si meshkujt”, tha ajo për RTK.

Sipas Policisë, që tri rastet e raportuara në Fushë Kosovë, me vendim të prokurorit të  dyshuarit janë dërguar në mbajtje.