Rriten rastet për falsifikim të parave në Kosovë

“Falsifikimi i parave” është dukuri gjithmonë e në rritje në Kosovë, marrë parasysh numrin e rasteve për tri vitet e fundit.
Indeksonline ka siguruar të dhënat nga Policia e Kosovës për numrin e rasteve për veprën penale “Falsifikim i parave” për 3 vite rresht. Pra nga viti 2019 deri më tash, 2021.
Në vitin 2019 në Policinë e Kosovës janë raportuar 580 raste për këtë vepër penale.

Gjatë vitit pasues, 2020, kishte ulje të raportimeve për 60 raste. Pra brenda atij viti u iniciuan 520 raste.
Mirëpo kjo ulje nuk e karakterizoi edhe këtë vit.
Vetëm gjatë 2021-ës, Policia e Kosovës ka raport për 706 raste për “Falsifikim të parave”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 302 pika 1, “Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet”./Indeksonline/
