75 Mall Live Search
11:25 / E Hënë, 05 Janar 2026 / H F

Rriten sërish çmimet e arit dhe argjendit, shkaku kryesor situata gjeopolitike në Venezuelë

Çmimet e arit dhe argjendit janë rritur përsëri, ndërsa besimi i investitorëve është rënduar nga rreziqet e shtuara gjeopolitike pas arrestimit të udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro nga SHBA-ja.

Mediat e huaja shkruajnë se, çmimi i arit ëshntë rritur deri në 2.1% të hënën, duke arritur mbi 4,420 dollarë për një ons, ndërsa çmimi i argjendit u rrit me gati 5%.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se SHBA-ja synon ta “drejtojë” Venezuelën pasi Maduro u rrëzua gjatë fundjavës, duke e lënë të pasigurt të ardhmen e qeverisjes së vendit të Amerikës së Jugut. Ai theksoi se Uashingtoni ka nevojë për qasje të plotë në vend, duke përfshirë rezervat e tij të naftës.

Kjo ka rritur mjedisin e pasigurisë gjeopolitike, tha Christopher Wong, një analist në Oversea-Chinese Banking në Singapor. Megjithatë, ai shtoi se rreziqet e menjëhershme janë të kufizuara, pasi zhvillimet në Venezuelë tregojnë për një mbyllje relativisht të shpejtë të frontit, në vend të një konflikti ushtarak të zgjatur.

Ari sapo ka përfunduar performancën e tij më të mirë vjetore që nga viti 1979, duke regjistruar një sërë rekordesh historike gjatë vitit të kaluar, të mbështetur nga blerjet e bankës qendrore dhe hyrjet në ETF-të e lidhura me metalet e çmuara.

Tre ulje të njëpasnjëshme të normave të interesit nga Rezerva Federale kanë qenë gjithashtu mbështetëse për metalet e çmuara, të cilat nuk paguajnë interes.