75 Mall Live Search
09:27 / E Hënë, 13 Korrik 2026 / P M

​Rriten tensionet për Ngushticën e Hormuzit, SHBA-ja përdori për herë të parë dronë sulmues

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit të dielën në mbrëmje, duke vazhduar përshkallëzimin e përplasjeve ushtarake mes dy vendeve që kanë zgjatur prej disa ditësh.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) ka bërë të ditur se operacioni u urdhërua nga presidenti Donald Trump me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe civile që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas CENTCOM-it, sulmet nisën të dielën në mbrëmje sipas orës amerikane dhe për herë të pare janë përdorur dronë sulmues ajrorë dhe detarë njëkahësh.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet amerikane shkaktuan vdekjen e një personi në jugperëndim të Iranit, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur.

Vetëm pak orë pas sulmeve të reja amerikane, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se kishte kryer sulme me raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein shkruan BBC-i, transmeton KosovaPressi. Deri tani nuk ka pasur konfirmim të pavarur nga autoritetet amerikane për këto pretendime.

Përshkallëzimi i tensioneve ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme mes ShBA-së dhe Iranit, e cila ishte nënshkruar në muajin qershor.

Ndërkohë, vazhdojnë deklaratat kontradiktore lidhur me statusin e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin global të naftës. Irani pretendon se e ka mbyllur ngushticën deri në një njoftim të dytë, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se lundrimi në këtë korridor detar vazhdon normalisht.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se vala e fundit e sulmeve nisi rreth orës 17:00 me kohën lindore të SHBA-së. Sipas saj, objektivat përfshinin dhjetëra pozicione ushtarake iraniane, mes tyre sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë, si dhe kapacitete për lëshimin e raketave dhe dronëve.