75 Mall Live Search
14:03 / E Premte, 03 Janar 2020 / indeksADMonline

Rritet çmimi i naftës, pas vrasjes së gjeneralit iranian nga SHBA-ja

Çmimi i naftës u rrit me 4% pas lajmit të vrasjes së gjeneralit Kasem Sulejmani, i konsideruar nga disa si njeriu që mund të ishte lideri i ardhshëm i Iranit. Vdekja e kësaj figure të fuqishme të Republikës Islamike pas një sulmi ajror amerikan të urdhëruar nga vetë Donald Trumpi, rrezikon të përflakë tensionet në Lindje të Mesme.

Presidenti Iranian Hassan Rouhani, doli menjëherë me një deklaratë ku zotohej për shpagim. Eksperti Jeffrey Halley mendon se objektivat e para të zemërimit iranian janë rafineritë dhe cisternat e naftës.

Halley duket se nuk është i vetmi të cilit i ka shkuar në mendje një gjë e tillë, e kjo u reflektua qartë në kapërcimin e beftë që pati kuotimi i arit të ri në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës u rrit me më shumë se 14% në muajin shtator pas sulmeve të koordinuara mbi rafineritë saudite të naftës, të cilat e reduktuan me 5% furnizimin global të naftës.

Tensioni midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është rritur në rajon dhe lidhet me sanksionet ekonomike të SHBA-së që dëmtojnë ekonominë iraniane. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet ndaj instalimeve të naftës, depove të armëve të milicisë dhe bazave ushtarake që strehojnë forcat amerikane.