Rritet interesimi për rekrutim në Policinë e Kosovës, rreth 7 mijë kandidatë aplikuan për 350 pozita

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express se në konkursin e fundit për pranimin e 350 zyrtarëve të rinj policorë, i cili ishte i hapur nga 17 qershori deri më 7 korrik 2025, kanë aplikuar gjithsej 6818 kandidatë.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i kandidateve të gjinisë femërore është 1249, ndërsa i atyre të gjinisë mashkullore është 5569.
Duke e krahasuar me konkursin e vitit 2023, ku kishin aplikuar gjithsej 4382 kandidatë (3696 meshkuj dhe 686 femra), këtë vit ka një rritje prej 2436 aplikimesh, që tregon një interesim të shtuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
E pyetur për fazën aktuale të procesit të rekrutimit, Policia ka bërë të ditur për Gazetën Express se: “Sipas procedurave të parapara, procesi po vazhdon në fazën e regjistrimit të aplikacioneve”.
Kujtojmë se zyrtarët policorë nuk kanë ende sigurim shëndetësor e as jetësor.