75 Mall Live Search
11:39 / E Mërkurë, 14 Janar 2026 / MSH1

Rritet mortaliteti në Francë, rekord nga fundi i Luftës së Dytë Botërore

Franca regjistroi më shumë vdekje sesa lindje në vitin 2025!

Ky rekord është për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, raporton CNN-i.

Instituti Kombëtar i Statistikave (INSEE) raportoi 651,000 vdekje vitin e kaluar dhe 645,000 lindje, numër që ka rënë ndjeshëm që nga pandemia globale e COVID-it.

Franca tradicionalisht ka pasur një demografi më të fortë se pjesa më e madhe e Evropës, por një popullsi në plakje dhe një rënie e ritmeve të lindjeve tregojnë se nuk është imune ndaj krizës demografike që po rëndon financat publike në të gjithë kontinentin.

INSEE-ja tha se shkalla e fertilitetit ra në 1.56 fëmijë për grua vitin e kaluar, niveli më i ulët që nga Lufta e Parë Botërore dhe shumë më poshtë se 1.8-shi i supozuar në parashikimet e financimit të pensioneve nga Këshilli Këshillimor i Pensioneve.

Në vitin 2023, viti më i fundit me krahasime me BE-në, Franca u rendit e dyta më e larta, me një shkallë fertiliteti prej 1.65.

Parashikohet se zhvendosja demografike do t’i shtyjë shpenzimet publike përsëri në nivelet më të larta të epokës së pandemisë në vitet e ardhshme, ndërsa do të gërryejë bazën tatimore.

Të paktën kështu paralajmëroi Zyra kombëtare e auditimit publik, muajin e kaluar.

“Duke pasur parasysh daljen në pension të brezave të mëdhenj të lindur në vitet 1960, tensionet e tregut të punës dhe problemet e fuqisë punëtore ka të ngjarë të rriten me shpejtësi në vitet e ardhshme”, tha ekonomisti Philippe Crevel, nga organizata kërkimore “Cercle d’Epargne”.

Pavarësisht se vdekjet i tejkalojnë lindjet, popullsia e Francës u rrit pak vitin e kaluar në 69.1 milionë, për shkak të migrimit neto, të cilin INSEE-ja e vlerësoi në 176,000.