75 Mall Live Search
17:06 / E Enjte, 18 Mars 2021 / B O

Rritet në 43 numri i qyteteve në botë që ndalojnë karburantet fosile

Numri i qyteteve në botë që kanë ndaluar pjesërisht ose plotësisht përdorimin e lëndëve djegëse fosile është rritur në 43 vitin e kaluar.

Sipas raportit të “Gjendjes Globale të Energjisë së Rinovueshme në Qytete 2021” të përgatitur nga REN21, një rrjet ndërkombëtar në fushën e energjisë së rinovueshme, më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete dhe tre të katërtat e konsumit global të energjisë ndodhin po ashtu në qytete.

Ndërsa rritja e strategjive klimatike dhe energjisë së rinovueshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike cilësohet e rëndësishme, numri i qyteteve që po ndalojnë përdorimin e karburanteve fosile pjesërisht ose plotësisht po rritet.

Në këtë drejtim, gjersa numri i qyteteve që i dhanë fund përdorimit të lëndëve djegëse fosile në sektorët e ngrohjes ose transportit ishte 8 deri në fund të vitit 2019, vitin e kaluar 35 qytete të tjera zbatuan politika që ndalojnë përdorimin e lëndëve djegëse fosile në këto sektorë. Kështu, numri i këtyre qyteteve u rrit në 43 gjithsej.

Sipas raportit, 20 qytete të tjera planifikojnë të miratojnë politika që ndalojnë përdorimin e lëndëve djegëse fosile në të ardhmen, ndërsa 1.300 qytete në botë kanë objektiv për energjinë e rinovueshme ose politikë të energjisë së rinovueshme që tashmë zbatohet. Në qytetet në fjalë, sipas raportit, jetojnë rreth 1 miliard banorë.

Drejtorja Ekzekutive e REN21, Rana Adib, ka deklaruar se qytetet janë opsioni më i mirë në planifikimin, zhvillimin dhe ndërtimin e së ardhmes së bazuar në energjinë e rinovueshme dhe se rëndësia e tyre po rritet,

“Por në të shumtën e kohës, potenciali i transformimit të qyteteve nuk është përdorur sa duhet. Arritja e synimeve për ulje të emetimeve të karbonit në qytetet e dendura është detyrë e vështirë. Qeveritë duhet t’i delegojnë kompetencat e financimit, kapacitetit dhe ato rregullatore nën përgjegjësinë e vendimmarrësve lokalë”, ka thënë Adib.

Ajo ka theksuar se ekziston lidhje e drejtpërdrejtë midis përshpejtimit të luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe rritjes së përdorimit të energjisë së rinovueshme në të gjithë sektorët.

“Qeverisjet e qyteteve shtrëngojnë rregullat për ndërtesat dhe i bëjnë të detyrueshme rregullat e energjisë së rinovueshme. Më e rëndësishmja nga vendimet e marra nga qytetet është caktimi i një afati të fundit për përdorimin e gazit natyror, naftës dhe qymyrit. Në shumicën e kohës, interesat e sektorit të karburanteve fosile pengojnë planet e dekarbonizimit të qyteteve. Fatkeqësisht, sa herë që qeverisjet e qyteteve në gjithë botën përpiqen të heqin dorë nga lëndët djegëse fosile, industria po përdor burimet e saj për ta luftuar këtë. Prandaj, kalimi në energji të rinovueshme i ngjan një vrapimi me pengesa”, ka deklaruar Adib.