15:01 / E Hënë, 12 Qershor 2023 / S Z

Rritet numri i rasteve kur nënat kosovare zgjedhin të lindin jashtë vendit

Nuk është i pakët numri i rasteve, kur nënat kosovare i zgjedhin spitalet jashtë vendit, për t’i kryer lindjet.  E numri i lindjeve jashtë vendit po pëson rritje nga viti në vit.

Nga 31 mijë  e 420 lindje të cilat janë kryer gjatë vitit 2022, 8 mijë e 788 nga to nuk janë kryer në spitalet e Kosovës, por jashtë territorit të saj. E krahasuar me një vit më parë, numri i lindjeve jashtë vendit është rritur për 1 mijë e 512 lindje. Pasi që numri i lindjeve jashtë territorit të Kosovës gjatë vitit 2021 ka qenë 7 mijë e 276.

Trajtimi i nënave dhe foshnjave të porsalindura në spitalet jashtë Kosovës,  si siguria, dhe analizat e bëra pas lindjes,  kanë ndikuar në zgjedhjen e tyre, që lindjet të mos i kryejnë në Kosovë.

Por pa përjashtuar dhe pakënaqësitë që nënat herë pas here kanë shfaqur, me trajtimin e tyre gjatë dhe pas lindjes.

L.Z thotë se djalin e parë ka lindur para 8 vjetëve në Prishtinë, por është zhgënjyer me trajtimin që mori.

E kjo ka bërë që fëmijën e dytë ta lind jashtë Kosovës. Ndërsa thotë se në spitalin  ku ka lindur jashtë Kosovës,  trajtimi dhe analizat që i bëhen bebes pas lindjes nuk i bëhen në spitalet në Kosovë, as në QKUK por as dhe në ato private.

“Para shumë viteve kam pasur përvojë jo të mirë kur kam lindur në Kosovë. Andaj kam vendosur që fëmije e dytë të mos ta lind këtu.  Në spitalin ku kam lindur jashtë Kosovës,  fëmijës i janë bërë të gjitha analizat pas lindjes, gjë që nuk ndodh në Kosovë . Unë kur kam dal nga spitali me bebe, e kam pasur një pasqyrë të qartë për gjendjen e bebes në imtësi, gjë që nuk e kam  pasur me fëmijën e parë, të cilit pak ditë më vonë i janë shfaqur disa probleme, të cilat nuk i janë evidentuar menjëherë pas lindjes  “, thotë ajo.

E mos trajtimi i disa anomalive tek fëmijët të cilët lindin me disa probleme, ka bërë që nënat doemos të zgjedhin spitalet jashtë vendit për lindje.

” Humbja e besimit tek mjekët dhe klinikat tona, ka bërë që shumë qytetarë t’i shohin si opsion spitalet jashtë vendit, jo vetëm për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, por dhe për lindje”, thotë pacientja L.Z./Indeksonline/