75 Mall Live Search
10:14 / E Martë, 12 Gusht 2025 / S Z

Rritet numri i turistëve të huaj në Kosovë, këto janë vendet nga vijnë

Sektori i turizmit në vend ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i vizitorëve është rritur për 12.8%, ndërsa netqëndrimet kanë pasur një rritje prej 15.9%, duke reflektuar interesin në rritje për turizmin në vend.

“Numri i vizitorëve për muajin qershor, sipas anketës se hotelerisë në Republikën e Kosovës, në muajin qershor 2025, krahasuar me muajin qershor 2024, numri i vizitorëve ka pasur rritje për 12.8%, ndërsa netqëndrimet e tyre kanë pasur rritje për 15.9%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërkaq dhe numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën është  rritur në qershor të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëtë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershor 2024, Kosovën e kishin vizituar 36,211 vizitorë të huaj, ndërsa në qershor 2025 ky numër ka arritur në 39,555, që përbën një rritje prej 9.2%.

Sipas ASK-së, vizitorët e huaj që kanë frekuentuar më së shumti Kosovën vijnë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia./Indeksonline/