Rritet numri i viktimave pas shpërthimit të dhunës në Brazil – vriten mbi 80 persona dhe disa policë
Mbi 80 persona, përfshirë katër oficerë policie, u vranë dhe 81 të tjerë u arrestuan gjatë një operacioni të gjerë policor kundër kartelit të fuqishëm të drogës Comando Vermelho në qytetin e Rio de Zhaneiros, në Brazil.
Operacioni, që u zhvillua në disa zona të njohura për aktivitet të lartë kriminal, përbën një nga aksionet më të mëdha dhe më të përgjakshme të viteve të fundit në vend.
Sipas autoriteteve, rreth 2,800 oficerë policie morën pjesë në ndërhyrje, e cila kishte për qëllim shkatërrimin e rrjeteve të trafikut të drogës dhe të armëve që kontrollohen nga karteli.
Gjatë operacionit u ekzekutuan 100 urdhërarreste, ndërsa policia raportoi për përleshje të ashpra me armë mes forcave të rendit dhe anëtarëve të grupit kriminal.
Zyrtarët brazilianë thanë se, pavarësisht numrit të lartë të viktimave dhe kritikave nga organizatat për të drejtat e njeriut, fushata do të vazhdojë, pasi synon rikthimin e rendit dhe sigurisë në zonat ku për vite me radhë ka sunduar kriminaliteti.
Operacioni ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e rreth 280 mijë banorëve, të cilët janë përballur me bllokime rrugësh, mungesë transporti publik dhe frikë nga përplasjet e armatosura. Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë të mbyllura në shtëpi, ndërsa disa shkolla dhe biznese kanë pezulluar aktivitetin e tyre.
Autoritetet lokale theksojnë se qëllimi i këtij operacioni është dobësimi i strukturave të Comando Vermelho, një nga kartelët më të vjetër dhe më të dhunshëm në Brazil, i cili prej dekadash ka kontrolluar pjesë të mëdha të tregtisë së paligjshme të drogës në Rio de Zhaneiro.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut dhe disa përfaqësues të komunitetit kanë shprehur shqetësim për shkallën e dhunës dhe numrin e lartë të viktimave, duke kërkuar transparencë dhe hetim të plotë mbi mënyrën se si është zhvilluar operacioni.

