Rritja e aksidenteve në trafik, MIT inspekton Qendrat e Kontrollit Teknik të veturave
Që nga fillimi i vitit e deri më tani, 23 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku.
Para dy jave ndodhën dy aksidente fatale, ku tre të rinj vdiqën në Duhël dhe një në Pejë. Javën e kaluar një grua shtatzënë vdiq në aksidentin e rëndë në dalje të Parteshit. Kurse, këtë javë dy persona vdiqen nga aksidentet në trafik.
Aksidentet në numër të madh këtë vit kanë alarmuar institucionet përkatëse, duke shtuar masat në trafik për parandalimin e tyre.
Mirëpo, sa bëhen kontrolle teknike të veturave dhe sa ka inspektim të këtyre qendrave.
Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) për Indeksonline bëjnë të ditur se janë të licencuara 133 qendra të kontrolleve teknike. Po ashtu, ata kanë treguar masat që kanë ndërmarrë, ku përfshihen pezullime te licencës, e dënime me gjobë mandatore.
“Gjatë vitit 2018, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike, janë kryer 505 inspektime me procesverbale. Masat e ndërmarra gjatë vitit 2018, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike janë: -3 vendime për pezullim të licencës, për një kohë/periudhë të caktuar, deri në eliminimin e mangësive, -22 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj pronarëve të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, -85 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj personave përgjegjës të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, si dhe -34 inicime të procedurës kundërvajtëse, ndaj pronarëve të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve”, thuhet në përgjigjën e MIT.
Ndërsa, që nga janari e deri në muajin mars, inspektorët kanë kryer 150 inspektime.
“Gjatë periudhës kohore janar – mars të vitit 2019, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike, janë kryer 150 inspektime me procesverbale. Masat e ndërmarra gjatë periudhës kohore janar – mars të vitit 2019, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike janë: -2 vendime për pezullim të licencës, për një kohë/periudhë të caktuar, deri në eliminimin e mangësive, -2 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj pronarëve të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, -17 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj personave përgjegjës të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, si dhe -1 inicim i procedurës kundërvajtëse, ndaj pronarit të Qendrës së Kontrollimit Teknik të Automjeteve”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjën e tyre.
Rastet e shumta të vdekjeve në trafik kanë bërë që edhe Kryeministri Ramush Haradinaj të reagoj. Ai kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të ndërmarrin një plan konkret për çështjen e alarmante të aksidenteve me fatalitet që është shqetësuese për vendin. Sipas tij, MPB-ja duhet të nis një hetim rreth marrjes së patentë shoferëve.
Edhe Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë ka folur për aksidentet.
“Sa i përket aksidenteve në komunikacion ka rënie, por prapë mbetet shifër e lartë”, ka thënë Qalaj.
Policia e Kosovës vazhdimisht po kërkon dhe apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përqendrohen në ngasje.
Një apel të ngjashëm dhe me disa rekomandime ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ku sipas IKSHP-së nëse nuk ndërmerren masa atëherë humbja e jetës në aksidente do të jetë i madh./Indeksonline/