Rritja e çmimeve, Gërxhaliu dhe Kelmendi tregojnë se si shteti mund të gjejë zgjidhjen

Janë ngritur në mënyrë enorme çmimet e produkteve elementare, sidomos atyre ushqimore në Kosovë.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, njëherësh ekonomist, Safet Gerxhaliu për Indeksonline theksoi se, Kosova nuk ka qenë e përgatitur për një krizë të re, pas pandemisë Covid-19.
Ai thotë se situata ekonomike rëndohet edhe më shumë pas luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Kriza e ka kaplu jo vetëm Kosovën por mbarë botën. Në këtë drejtim është e pamundur të pritet që Kosova është imune në këtë krizë. Ajo çka e bën të veçantë Kosovën është fakti se Kosova ka hy me krizë në krizë, këtë po e them nga fakti që pas pandemisë Covid-19 jemi ballafaquar me një pandemi ekonomike. Nuk kemi qenë të përgatitur për sfida të reja. Situata rëndohet edhe më shumë pas luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Efektet negative në ekonomi globale falë luftës janë shumë më të mëdha se të gjitha dëmet që i ka bërë pandemia”, thotë ai.
Gërxhaliu shprehet se, Kosova duhet të avancoj dialogun në aspektin publiko privat e qeveritarët të mos humbin kohë duke kërkuar arsyet për dështim.
“Kosova do të duhej vërtetë të avancoj dialogun në aspektin publiko privat. Institucionet tona në vend që të humbin kohë duke kërkuar arsyet për dështim, duhet të jenë më aktiv e t’i analizojnë cilat modalitete janë duke i përdorur vendet e rajonit. Unë kam menduar se sot ka qenë koha ku shumë qeveritar nga Kosova duhet të jenë edhe në Shkup, Tiranë, Podgoricë por edhe në Sofje, që janë shtete partnere dhe përmes dialogut, përmes resurseve që ato posedojnë, mund të sigurojnë rezerva dhe të eliminohet pakica në Kosovë.
Nuk e kam brengën për kosovarët vetëm nga aspekti ekonomik dhe social, e kam brengën edhe të emocionet e qytetarëve të Kosovës. Prandaj është nevojë koha kur duhet veprim konkret dhe jo duke i fajësuar të tjerët“, u shpreh ai.
Në anën tjetër, biznismeni i njohur, Ramiz Kelmendi thotë se shtetit duhet të rris rezervat, pasi ato shërbejnë në zbritjen e çmimit të rritur.
“Rezervat shtetërore të dimensionura sipas standardit dhe sipas numrit të qytetarëve duhet të rriten në paraqitjen e mundësisë së krizave që ndikon në shtetin tonë. Shërbejnë si imput për zbutjen e çmimit të rritur.
Nëse shteti jonë do të kishte rezervë 30 milionë litra naftë me një çmim që ka qenë përpara, 60-70 dollarë, ai kish mujt me intervenu tek shitësit e tashëm duke ia dhënë me atë çmim dhe ata e kishin gjet mesataren e dy çmimeve që kishte me qenë e përballueshme së paku për një kohë të caktuar. Ashtu është për miell, ashtu për vaj e për grurë.
Mungesat e rezervave shtetërore gjithmonë japin mundësi që çmimin me përcjell ad-hoc qysh rritet. Në këtë rast është duke fluturu shumë lartë”, thotë Kelmendi./Indeksonline/