18:26 / E Hënë, 03 Tetor 2022 / LB

Rritja e çmimit të druve/ 62-vjeçari në hall, shumë keq për shtresën e varfër

Çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve në vend vazhdojnë të rriten. Duket se të njëjtin fat do të kenë dhe çmimet për lëndët drusore.

Osman Berisha, 62-vjeçar, i cili është detyruar që të heq dorë nga puna paraprake dhe të punojë si druprerës është shprehur i mllefosur pas situatës se ngritjeve te çmimeve.

Ai për IndeksOnline ka thënë se çmimet e druve janë rritur gjithandej, dhe se është shumë keq për klasën e varfër.

“Këtë vit kanë marrë një tremë njerëzit për shkak se vitin e kaluar është ndaluar rryma dhe i kanë hypur çmimin e druve gjithandej, si në vendin ku shiten, në vendin bazë, atje janë dikun 55-60 euro, ndërsa këtu shiten 70 deri 75 euro. Shumë keq për klasën e ulët punëtore, për njerëzit e varfër, pasha besën shumë keq është. Po vjen keq por s’kemi çfarë të bëjmë, kështu është situata”, ka thënë ai.

Berisha tregoj që familjet i ka kapur frika prej mungesës për energji elektrike, prandaj po detyrohen t’i blejnë drutë.

“Po nuk kanë qare të shkretit pa i ble, se është problem që frika na ka kapur, prej vitit të kaluar, ju e keni parë si nuk ka pasur rrymë. Mungesa e energjisë elektrike, ju kanë mërdhi fëmijët, janë bërë për spital dhe i kanë harxhuar më shumë para në barna se në dru. Tashme në vend të atyre barnave sivjet po i përdorin për dru”, vijojë Berisha.

Ai theksoi se firma e tyre furnizohen më së shumti prej pyjeve nga ana e Kamenicës.

“Furnizohemi ku t’mujmë, shefi është i lidhur me ekonominë e pyjeve, kur te kenë dru dhe kanë dokumente atëherë aty shkojna i marrim. Në Marovcë, Sfircë e shumë vende tjera nga ana e komunës së Kamenicës”, tha ai.

Berisha rritjen e çmimit të druve e lidh edhe me atë të çmimeve të larta të derivateve të naftës.

“60 euro duhet të blejmë, ta hipim në kamion, së paku për të shkuar një kamionë në Sfircë, 140 euro naftë i harxhon. A pe shihni se është hipur çmimi i naftës, tani duhet t’i paguajnë punëtorët, duhet t’i paguajë ushqimin, edhe këpucët na i ka ble shefi. As shefit nuk i jetë ndonjë fitim por edhe ky për jetesë e ka. Më së shumti me dhimbsen klasa e ulët punëtore e popullit, se këta të tjerët nxehen me nxemje qendrore, nuk ju intereson ndodh se as rrymën nuk e paguajnë. Ka kush e pagunë, e paguajmë ne fukaraja e shkretë”, ka thënë Berisha.

62-vjecari tregoi se është detyruar që të heq dorë prej firmës së tij, taksi në komunën e Gjilanit dhe të punojë me dru për të mbetur gjallë.

“Ishalla zbritet, se për qysh është duke hipur problem do ta ketë klasa punëtore e ulët sikur unë. Unë 62-vjecar po detyrona të dali nëpër pllace, të mbesë gjallë, se nuk kamë kah ja ngjes. Deri vonë kamë punuar taksist i licencuar me firmë në Gjilan, mirëpo problemi është që është rritur çmimi i naftës dhe jam detyruar t’a lëshojë dhe me ardh qitu me u marrë me qeto dru, çfarë të bëjë”, ka thënë ai./IndeksOnline/