Rritja e ministrive, a do t’i takoj Listës Serbe ministria e tretë? Tregojnë nga KDI

Në ofertën përfundimtare të së martës, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i ka konfirmuar kryetari të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafës se LV ka propozuar 14 ministri.
“Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim”, thuhet në njoftim.
E për këtë janë ngritur dilemat se ministria e tretë a do t’i takojë Lisës Serbe apo komuniteteve të tjera.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se jo domosdo Listës Serbe do t’i takoj kjo ministry.
Ai sqaroi se është në diskrecionin e kryeministrit të ardhshëm të vendosë se kush do të udhëheq këtë ministri.
“Rritja e numrit të ministrive nga 12 në 14 sosh, nuk nënkupton që ministria e tretë, në kuadër të ministrive që ju takojnë komuniteteve, do t’i jepet domosdo Listës Serbe, apo një kandidati/e që caktohet në konsultim me këtë parti.
Është në diskrecionin e kryeministrit të ardhshëm të vendosë nëse ministria e tretë që ju takon komuniteteve, do të udhëhiqet nga një ministër nga komuniteti serb, apo nga komunitetet tjera jo shumicë”, ka thënë ai.
Në njoftimin e LVV për ofertën dhe rritjen e numrit të ministrive thuhet se:
“E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete”./IndeksOnline/