17:31 / E Hënë, 19 Tetor 2020 / indeksADMonline

Rritja e numrit të infektuarve në Poloni, qeveria shndërron stadiumin e Varshavës në spital

Numri i të infektuar është rritur kudo në Evropë. Polonia ka shënuar po ashtu një rritje të numrit personave të infektuar, ku një nga vendimet që ka marrë qeveria është kthimi i një stadiumi në Varshavë në spital për pacientët e infektuar me Covid-19.

Spitali do të vendoset në sallat e konferencave të stadiumit Narodowy dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 500 pacientësh me koronavirus. Sipas mediave të huaja plane të ngjashme për krijimin e spitaleve të përkohshme janë planifikuar për secilin nga rajonet e Polonisë nëse është e nevojshme.

“Punimet e para filluan të shtunën”, njoftoi qeveria në një postim në Twitter, të hënën.

Ndërkohë që në Poloni gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar një numër i lartë infeksionesh me Covid-19, ku rezultuan pozitivë 7,482 persona, ndërsa 41 njerëz kanë humbur jetën.

Javën e kaluar, qeveria e Polonisë njoftoi një seri masash në Varshavë dhe qytete të tjera të mëdha që tani konsiderohen “zona të kuqe” ku mbajtja e maskave është e detyrueshme në rrugë. Të gjitha shkollat e mesme dhe fakultetet e vendosura në këto zona janë të mbyllura dhe po kryejnë mësime në distancë. Restorantet mbyllen në orën 21:00 , ndërsa ceremonitë martesore janë të ndaluara dhe numri i njerëzve të lejuar në dyqane, transport publik dhe shërbime fetare është i kufizuar.