Rritja e numrit të vetëvrasjeve në Kosovë, çka thotë psikologu Sami Hajrullahu?

Që nga 21 maji 2022 në Kosovë, pothuajse çdo javë një person ka kryer aktin e vetëvrasjes.
Java e parë e muajit qershor ishte e dhimshme ku për katër ditë bënë vetvrasje katër persona. Këto raste u shënuan më datën 1,2,3 dhe 5 qershor.
Por, ky numër nuk ra as në javët në vijim. Në dy javët e fundit dy persona ia morën jetën vetes në komunën e Pejës.
Sipas të dhënave, vetëm këtë vit 17 persona kanë bërë vetvrasje.
“Kemi 11 raste më pak të vetëvrasjeve në këtë vit se sa vitin e kaluar për periudhën e njëjtë kohore të paraqitur në tabelë”, thuhet në përgjigjen e PK-së për IndeksOnline.
Lidhur me këtë fenomen në rritje ka folur edhe psikologu klinik Sami Hajrullahu.
Ai në një prononcim për IndeksOnline ka theksuar se për rritjen e numrit të vetvrasjeve ka ndikuar edhe pandemia Covid19, e cila ka lënë efekte afatgjata psiko-neurologjike tek të shëruarit.
Hajrullahu po ashtu theksoi se ndikim të madh ka edhe ankthi dhe vështirësitë ekonomike.
“Sot kur flasim për fenomenin e vetvrasjes dhe numrin gjithnjë e në rritje të saj, medoemos duhet përmendur pandeminë e COVID-19 e cila kaploj globin nga fundi i vitit 2019 e vendin tonë nga marsi i vitit 2020 e që ende vazhdon me intensitet më të ultë fatmirësisht por me pasoja psikologjike negative me intensitet shumë të lartë fatkeqësisht.
Më herët kemi theksuar se përveç simptomave kryesore të infeksionit me COVID-19 që janë: ethe, temperature dhe kollë, sipas hulumtimeve të fundit të bëra në Universitetin Oxford, 25% e njerëzve përjetojnë simptoma që lidhen me trurin dhe sistemin nervor përfshirë: marramendje, dhimbje koke, pagjumësi e lodhje e përgjithshme dhe dëmtim kognitiv që është problem për mbamendje, mësuar dhe përqendruar vëmendjen. Tek disa pacientë këto simptoma priren të zhduken pasi të shërohen nga COVID-19 gjersa disa të mbijetuar nga COVID-19 përjetojnë efekte afatgjata psiko- neurologjike.
Izolimi social, ankthi, frika, stresi kronik e posttraumatik, pasiguria, eddhe vështirësitë ekonomike padyshim se mund të shpiejnë në përkeqësim të elementeve si: ankthi, stresi, depresioni, përdorimi i substancave si dhe crregullime të tjera të natyrës psikologjike/psikiatrike ku për pasojë nën këto kushte mundësia e vetvrasjes është jashtëzakonisht e madhe.
Pasojat e pandemisë COVID-19 mund të rrisin shkallën e vetvrasjeve edhe më shumë dhe bazuar në numrin gjithnjë e në rritje të numrit të vetvrasjeve atëherë mund të themi se kjo ka të ngjarë të jetë e pranishme edhe në të ardhmen.
Andaj, fuqishëm rekomandoj që profesionistët e shëndetit mendorë, institucionet qeveritare e jo qeveritare si dhe mediat sociale duhet të punojnë edhe më shumë për të promovuar shëndetin mendor dhe rëndësinë që ka ai në jetën tonë. Strategjitë e ndryshme të shëndetit mendorë që ka bërë ministria e shëndetësisë duhet të rishikohen dhe të jenë në linjë me studimet dhe rekomandimet e fundit të OBSH-së sa i përket fushatave të ndryshme në ruajtjen në masë sa më të madhe të shëndetit mendor të populates sonë”, tha ai.
Policia e Kosovës në një përgjigje për IndeksOnline ka thënë se deri më 15 maj janë shënuar 9 raste të vetvrasjes./IndeksOnline/
