Rritje e manganit në ujë, ende nuk dihet kur kthehet në gjendje të pijshme

Pas njoftimit të datës 1 shtator nga KRU “Prishtina” dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ku u konstatua rritje e përqendrimit të manganit në Liqenin e Badocit, qytetarëve të zonave të prekura u është kërkuar të mos e përdorin ujin për pije, deri në një njoftim të ri.
Në një përgjigje për IndeksOnline, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka deklaruar se bëhet fjalë për një dukuri natyrore, dhe për këtë arsye, “nuk ka një afat të caktuar” se kur do të rikthehet përdorimi normal i ujit të pijshëm. Megjithatë, ajo theksoi se shpresat janë që situata të kalojë sa më shpejt.
Sipas Mjekut, IKSHPK ka forcuar kontrollet mbi cilësinë e ujit të pijshëm, në bashkëpunim të ngushtë me KRU “Prishtina”, për të garantuar sigurinë shëndetësore të qytetarëve.
“Kjo eshte dukuri natyrore, andaj edhe nuk ka afat, duke shpresuar qe te kaloj sa me shpejt. IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët. KRU “Prishtina” Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme: Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit; Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar. Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania”, ka thënë Mjeku në një përgjigje për IndeksOnline.
Ndërkohë, analizat laboratorike të fundit kanë treguar përqendrime të shtuara të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.
Sipas njoftimit, këto vlera tejkalojnë kufirin e lejuar sipas Udhëzimit Administrativ nr. 10/2021, por ende nuk janë në nivele që përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e njeriut./IndeksOnline/