75 Mall Live Search
12:13 / E Hënë, 14 Korrik 2025 / k.v

Rritje e ndjeshme e fluturimeve dhe udhëtarëve këtë maj

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e transportit dhe telekomunikimit për muajin maj 2025, ku shihet një rritje e ndjeshme në numrin e fluturimeve dhe udhëtarëve krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Në muajin maj 2025, numri i fluturimeve të realizuara ishte 1 169, ose 16,7% më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, numri i udhëtarëve në total ishte 381 458, ose 13,3% më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (Maj 2024)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Në sektorin e telekomunikimit, të dhënat tregojnë se numri i përdoruesve të rrjetit telefonik fiks në maj 2025 ishte 68 mijë e 478, që paraqet një rënie prej 1% krahasuar me majin e vitit të kaluar. Edhe numri i përdoruesve me parapagim (Prepaid) ka pësuar rënie, duke zbritur në 1 milion e 476 mijë e 646, ose 0.47% më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, përdoruesit me kontratë (Postpaid) janë rritur në 313 mijë e 760, që përfaqëson një rritje prej 2,93%.