75 Mall Live Search
10:33 / E Premte, 16 Maj 2025 / S Z

Rritje e ndjeshme e ndërhyrjeve kirurgjike në Klinikën e Ortopedisë në QKUK

Klinika e Ortopedisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale-protezave të realizuara.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) njofton se gjatë kësaj periudhe kohore janë kryer gjithsej 124 ndërhyrje ortopedike-proteza, nga lista e pritjes, krahasuar me vetëm 52 operacione të realizuara në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

“Kjo rritje përfaqëson një sukses të dukshëm në angazhimin dhe performancën e stafit të Klinikës. Mirënjohje për stafin, të cilët me përkushtim e profesionalizëm po e përballojnë volumin në rritje të punës, në shërbim të pacientëve nga e gjithë Kosova. Me gjithë rritjen e numrit të operacioneve, akoma ekziston lista e pritjes, por po punohet për t’u rritur edhe më tej vëllimin e punës, por si klinika e vetme terciare në vend, Klinika e Ortopedisë mbetet e mbingarkuar me raste”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Në njoftim po ashtu thuhet se aktualisht, klinika është e furnizuar në mënyrë të mjaftueshme me proteza, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve.

“Po ashtu, gjatë këtij viti pritet që SHSKUK-ja, për herë të parë të furnizojë me proteza spitalet e përgjithshme në vend, që do të kontribuojë në shpërndarjen më të drejtë të ngarkesës dhe shkurtimin e listave të pritjes. Klinika e Ortopedisë mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të avancuara dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim ortopedik në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim./Indeksonline/